Yan Diomande ka rrëfyer për ditët e para në Madrid pas transferimit te Real Madridi, duke theksuar se kërkesat e larta të klubit nuk e trembin.
Të lidhura
None found
Futbollisti 19-vjeçar nga Bregu i Fildishtë nuk e ka nisur lehtë aventurën me “Los Blancos”. Në tetë ndeshje të zhvilluara këtë sezon, ai ka qenë pjesë e formacionit titullar vetëm në dy raste.
Pavarësisht hapësirës së kufizuar në fushë, Diomande vijon të japë maksimumin gjatë seancave stërvitore. Ai ka shprehur gjithashtu mirënjohje për trajnerin Jose Mourinho, i cili, sipas tij, i ka dhënë besim dhe minuta të mjaftueshme.
“Situata nuk ka ndryshuar për mua. Edhe pse aktivizohem pak, punoj shumë dhe stërvitjet janë intensive. Më gëzon fakti që Jose Mourinho ka besim tek unë dhe më jep mundësinë të luaj”, është shprehur ai.
Talenti afrikan e konsideron presionin që shoqëron fanellën e Real Madridit si një shtysë për të bërë përparim të vazhdueshëm.
“Presioni më pëlqen, sepse më nxit të tejkaloj kufijtë e mi. Jam pjesë e një klubi ku standardet dhe pritshmëritë janë jashtëzakonisht të larta”, ka deklaruar Diomande.
Ai ka këmbëngulur se fama nuk e ka ndryshuar personalitetin e tij, edhe pse nga jashtë mund të shihet si një superyll.
“Për mua kjo është diçka pozitive. Edhe nëse të tjerët më konsiderojnë superyll, unë vazhdoj të jem i njëjti person që kam qenë gjithmonë”, ka shtuar futbollisti.
Diomande ka folur me të njëjtin entuziazëm edhe për përfaqësimin e vendit të tij, duke thënë se ndihet veçanërisht mirë sa herë aktivizohet me Kombëtaren e Bregut të Fildishtë.
