Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij pas mesnate në Parlament përpara se të miratohej projektligji i Partisë Socialiste për pagat e magjistratëve, deklaroi se kanë nisur punën për të hartuar një ligj të ri për ribalancimin e piramidës së pagave.
Kryeministri theksoi se duhet që të marrë njëherë e mirë fund historia se sa herë rritet një pagë në republikë, duhet të rritet edhe në sistemin e drejtësisë.
Të lidhura
None found
“Këtu është nevoja për të bërë një ligj të ri, për t’i dhënë fund kësaj historie, e cila e ka zanafillën e vet në atë moment kur, në bërjen e reformës, nuk u përcaktua koha se kur piramida do të balancohej. Nuk u tha qartë dhe nuk u tha troç që ju do të merrni këtë tani nga taksat e shqiptarëve, shumë më tepër se gjithë të tjerët, sepse reforma kërkon nga ju që të bëni një sforco, por ama kjo nuk do të jetë një rritje permanente.
Sa herë të rriten të tjerët, do të rriteni edhe ju, sepse i bie pastaj, siç e thashë në fillim, do të krijonim shtetin e parë në botë. Dhe unë i sfidoj të gjithë të më sjellin, të paktën në 2 mijë vjetët e fundit, një sistem ku gjykatësit kanë qenë mbi të gjithë në aspektin e taksave. Nuk ndodh. Është nonsens”, tha Rama.
Rama bëri të ditur se për ligjin e ri kanë nisur kontaktet me Këshillin e Europës dhe Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë.
“Ne kemi filluar kontaktet me Këshillin e Europës, me Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë. Dhe unë i kam pritur të gjithë këta që i kishit ju në komisionin përkatës, sepse kërkuan takim dhe ne e organizuam takimin.
E organizuam takimin sipas dëshirës dhe kushteve të tyre, në kuptimin për t’u dhënë të gjithë mundësinë që të flasin, të flasim dhe për t’u thënë që këtu ka një problem, të cilin do ta adresojmë së bashku. Ne nuk mund të shkojmë në një konflikt pushtetesh dhe ne jemi të gatshëm, jo të gatshëm, por jemi tërësisht të angazhuar që të bëjmë një ligj të ri.
Ka një sërë mënyrash për ta bërë, por kjo historia që sa herë rritet një pagë në Republikë, duhet rritur një pagë atje, duhet të marrë fund. Kjo është absurde. Për të respektuar vendimin e GJK, patjetër. Por ama kurrë një GJK nuk i thotë dot një ligjvënësi çoje t’i dorën kështu se e vendosa unë”, tha Rama.
