Tesla çaktivizon funksionin e lojërave gjatë udhëtimit

Tesla ka rënë dakord të bëjë ndryshime në funksionin e saj “Passenger Play”, që lejon lojërat të luhen në ekranin me prekje ndërsa makina është në lëvizje.

Kjo pason nga hetimi i nisur prej Administratës Kombëtare të Sigurisë së Trafikut në Autostrada të SHBA-së (NHTSA).

Agjencia tha se ishte informuar nga Tesla se një përditësim i softuerit do ta çaktivizonte funksionin gjatë udhëtimit.

Firma e makinave të Elon Muskut ishte përballur me kritika se tipari ishte i rrezikshëm, shkruan BBC.

“Passenger Play tani do të jetë i bllokuar dhe i papërdorshëm kur automjeti është në lëvizje”, tha NHTSA për New York Times.

Duke shpallur hetimin e saj, i cili u hap në fillim të kësaj jave, NHTSA tha se Passenger Play mund të shpërqendrojë shoferin dhe të rrisë rrezikun e përplasjes.

Fillimisht, funksioni Passenger Play ishte i përdorshëm vetëm kur makina ishte e palëvizshme, por kjo u ndryshua në dhjetor të vitit 2020, për të lejuar lojën kur makina ishte në lëvizje.

Menjëherë filluan ankesat e konsumatorëve dhe ekspertëve, marrë parasysh numrin e madh të aksidenteve që ndodhin si pasojë e pakujdesisë.


Shtuar 27.12.2021 21:48