Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur shkarkimin e Rigers Sheqerit, i cili mbante postin e kryeinspektorit në Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit, si dhe të Zhaneta Beqirit, drejtoreshë e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve.
Sipas informacioneve të bëra publike, shkarkimi i Beqirit lidhet me pretendime për shkelje me dëme ekonomiko-financiare, të cilat janë konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Të lidhura
None found
Në listën e ndryshimeve të pritshme përfshihet edhe Elona Lalaj, drejtoreshë e Policisë Bashkiake, e cila raportohet se po kalon një proces largimi nga detyra.
Këtë rast e ka përmendur edhe kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë për Tiranën. Në deklaratën e tij, ai e lidhi largimin e saj me faktin se ajo nuk kishte pëlqyer dhe nuk kishte shpërndarë postimet e kryebashkiakut në rrjetet sociale.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh: “Po si mund largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si dhe të tjera e të tjerë, drejtues dhe punonjës në hierarkinë e bashkisë së Tiranës, pse nuk u bëjnë like e share dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?”
Më tej, ai shtoi: “E përsëris, unë nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe çfarë ai bën, por vetëm uroj me gjithë zemër që ai të kuptojë se është në gabim, ditë e natë, në raport me mua dhe në raport me Partinë Socialiste të Shqipërisë.”
Rama vazhdoi: “Po ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në bashkinë e Tiranës që do ta zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin anëtarë të kësaj familjeje, qofshin ‘shërbëtorë’ publikë pa parti si Elona Lalaj, apo qofshin edhe qytetarë demokratë që punojnë në radhët e mijëra e mijëra njerëzve në bashkinë e Tiranës.”
Në mbyllje të fjalës së tij në Asamblenë e kësaj të shtune, Rama u shpreh: “E dimë të gjithë që mungesa e kryebashkiakut është një problem shumëplanësh për ecurinë e punëve të qeverisë vendore, të cilin ne do ta zgjidhim vetëm në 9 maj, me fitoren e Tiranës në ditën e madhe të Europës.”








