Një raport i ri ka ngritur shqetësime të forta për mënyrën se si inteligjenca artificiale po ndikon në aftësinë e njerëzve për të kuptuar nëse ajo që shohin në internet është e vërtetë apo e manipuluar. Të dhënat e publikuara nga kompania e sigurisë kibernetike Malwarebytes tregojnë se pothuajse 90 për qind e njerëzve e kanë gjithnjë e më të vështirë të dallojnë përmbajtjen reale nga ajo e krijuar ose e ndryshuar nga inteligjenca artificiale.
Anketa është realizuar me 1,500 persona në Austria, Britania e Madhe, Gjermania, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas gjetjeve, deri në 88 për qind e pjesëmarrësve pohuan se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të kuptojnë nëse përmbajtja online është autentike apo është prodhuar nga sisteme të inteligjencës artificiale.
Të lidhura
None found
Po aq shqetësues është edhe fakti se gati e njëjta përqindje e të pyeturve thanë se e kanë të vështirë të dallojnë mashtrimet nga përmbajtja e besueshme. Kjo përbën një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin e kaluar, kur të njëjtin problem e kishin raportuar vetëm 66 për qind e të anketuarve.
Studimi nxori në pah edhe një tjetër zhvillim alarmues: një në katër persona ka marrë gjatë 12 muajve të fundit mesazhe të personalizuara me qëllim mashtrimi. Ekspertët theksojnë se mashtruesit po i përdorin gjithnjë e më shumë mjetet e inteligjencës artificiale për të shfrytëzuar të dhënat personale dhe raportet e besimit mes njerëzve.
“Përdorimi i chatbot-eve dhe mjeteve të avancuara të inteligjencës artificiale po e zbeh gjithnjë e më shumë vijën ndarëse mes së vërtetës dhe së rremes”, thuhet në raportin e Malwarebytes.
Si reagim ndaj këtyre shqetësimeve, përdoruesit po sillen me më shumë kujdes në internet. Më shumë se tre në pesë persona deklaruan se kanë ulur përdorimin e rrjeteve sociale, kanë fshirë përmbajtje të vjetër ose po ndajnë më pak të dhëna personale për veten dhe familjarët e tyre.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo prirje mund të sjellë pasoja edhe për platformat e mëdha sociale, të cilat e mbështesin në masë të madhe modelin e tyre të biznesit te ndarja e informacionit nga përdoruesit dhe përdorimi i tij për reklama të targetuara.
Sipas raportit, zgjerimi i përdorimit të inteligjencës artificiale po krijon një sfidë të re për shoqërinë moderne: si të ruhet besimi te informacioni që qarkullon në internet.
