Mercedes po bëhet gati për një rinovim të thellë të GLA-së kompakte, e cila për herë të parë do të jetë e disponueshme edhe me sistem shtytës tërësisht elektrik.
Të lidhura
None found
Modeli i ri pritet të dalë më vonë gjatë këtij viti. Krahas një pamjeje më bashkëkohore dhe hapësirës më të madhe në kabinë, ai do të sjellë teknologji që e vendosin këtë SUV kompakt më pranë automjeteve luksoze të prodhuesit gjerman.
Në pjesën e përparme spikat grila me ndriçim, brenda së cilës janë vendosur 158 mikro-LED. Kur automjeti hapet ose mbyllet, ato shfaqin animacione të ndryshme drite, ndërsa momentet e mbërritjes dhe largimit të drejtuesit shoqërohen edhe me efekte zanore të shtuara nga Mercedes.

Një prej risive kryesore është varianti plotësisht elektrik, i cili do të ofrohet përkrah konfigurimeve të elektrifikuara me motor me djegie të brendshme.
Sipas pretendimit të Mercedes, GLA-ja elektrike mund të përshkojë më shumë se 400 milje, ose mbi 640 kilometra, me vetëm një karikim. Një autonomi e tillë do të mundësonte udhëtime të gjata pa ndalesa të shpeshta për rimbushjen e baterisë.
Edhe karikimi i shpejtë paraqitet si një veçori e rëndësishme. Me një pajisje që siguron fuqinë e nevojshme, prodhuesi thotë se 10 minuta karikim mund të shtojnë rreth 167 milje, përkatësisht afërsisht 269 kilometra autonomi.
Transformimi vazhdon edhe në brendësi, ku kabina e re merr tiparet e një qendre multimediale. Në qendër të saj është sistemi “Superscreen”, i përbërë nga një ekran instrumentesh 10.25 inç dhe një ekran qendror me madhësi 14 inç.

Një ekran tjetër 14 inç mund të vendoset për pasagjerin e përparmë, duke i dhënë mundësi të shikojë filma, të luajë lojëra dhe të përdorë aplikacione të ndryshme.

Mercedes deklaron se platforma mbështet mbi 40 aplikacione. YouTube dhe Disney+ janë pjesë e listës, ndërsa ofertës pritet t’i shtohet edhe platforma sportive DAZN.
Për përdoruesit që duan cilësi më të avancuar të zërit, në listën e opsioneve do të gjendet sistemi Burmester 3D surround sound.
Gjenerata e avancuar e asistentit virtual MBUX përbën një tjetër element të ri. Mercedes bën të ditur se ky sistem ndërthur teknologjitë e inteligjencës artificiale të Google dhe ChatGPT, me synimin që komunikimi me drejtuesin të jetë më i natyrshëm.
Përveç përgjigjeve ndaj pyetjeve, asistenti mund të rekomandojë restorante, të kërkojë atraksione turistike dhe të ndihmojë me organizimin e udhëtimeve. GLA-ja e re mund të pajiset gjithashtu me parkim automatik, i dobishëm për manovrimin në vende të ngushta.
Ambientin e brendshëm e plotësojnë ndriçimi i personalizueshëm dhe çatia e madhe panoramike prej xhami. Nëpërmjet sistemit opsional “SKY CONTROL”, xhami mund të kalojë nga gjendja transparente në atë të errët me shtypjen e një butoni.
Gjatë natës, 172 pika ndriçimi të integruara në sipërfaqen e xhamit krijojnë pamjen e një “qielli me yje”.

Për tregun evropian, modeli do të vijë me një paketë të gjerë teknologjish sigurie dhe ndihme për drejtuesin. Monitorimi i zonës përreth kryhet përmes tetë kamerave, pesë sensorëve radar dhe 12 sensorëve ultrasonikë.
Të dhënat e këtyre pajisjeve shërbejnë për funksione të ndryshme asistence, mes të cilave parkimi, mbajtja nën kontroll e korsisë dhe vëzhgimi i trafikut.
Varianti me energji elektrike do të ketë edhe një ndarje të vogël bagazhesh përpara, të quajtur “frunk”, duke shtuar hapësirën në dispozicion për sendet.
GLA-ja e re bëhet pjesë e rinovimit të gamës kompakte të Mercedes, së bashku me CLA-në dhe GLC-në e përditësuar. Ky proces pasqyron orientimin e markës drejt modeleve me më shumë elektrifikim dhe teknologji.
Automjeti do të shitet me disa paketa pajisjesh, përfshirë AMG Line. Kjo e fundit sjell një paraqitje më sportive përmes spoilerëve me përfundim të zi me shkëlqim, elementeve të zeza në pragjet e dyerve dhe fellneve ekskluzive 20 inç.

Çmimi fillestar i raportuar për modelin është 45,400 paund britanikë. Zgjedhja e pajisjeve dhe paketave shtesë do ta çojë koston në nivele më të larta.
Ola Källenius, kryetar i Bordit Drejtues të Mercedes-Benz Group AG, deklaroi se automjeti është konceptuar për t’u dhënë klientëve një përvojë moderne dhe më emocionale.
“GLA-ja e re është krijuar për t’i emocionuar klientët çdo ditë. Duke u mbështetur në 140 vjet inovacion, kemi ndërtuar GLA-në më ekspresive deri më sot”, tha ai.
Källenius theksoi gjithashtu se ridizajnimi i kabinës ka sjellë më shumë rehati dhe hapësirë, duke e rritur tërheqjen e një modeli që aktualisht renditet ndër Mercedes-ët më të shitur në kategorinë kompakte./GazetaExpress/
