Volkswagen po e kthen ekranin e makinës në një konsolë lojërash. Gjashtë modele të vitit 2027 në SHBA do të pajisen me AirConsole, një platformë që lejon pasagjerët të luajnë lojëra direkt në ekranin e sistemit multimedial të automjetit.
Të lidhura
None found
Veçoria do të jetë e disponueshme në Atlas, Atlas Cross Sport, Tiguan, Golf GTI, Golf R dhe ID.Buzz, ndërsa në momentin e lançimit do të ofrohen 20 lojëra.
Në listë janë disa emra shumë të njohur, përfshirë Tetris, PAC-MAN Championship Edition dhe UNO Car Party! Volkswagen ka përgatitur gjithashtu versione të personalizuara të disa lojërave, me elemente të markës.
Në disa modele, lojërat do të integrohen edhe me ndriçimin ambiental të kabinës, i cili mund të ndryshojë në sinkronizim me atë që ndodh në ekran, transmeton Telegrafi.
Por për të luajtur nuk do t’ju duhet një kontrollues i veçantë. Pasagjerët thjesht skanojnë një kod QR që shfaqet në ekranin e makinës dhe përdorin telefonin e tyre si gamepad.
Ka vetëm një kusht të rëndësishëm: loja funksionon vetëm kur makina është e parkuar. Sistemi kërkon gjithashtu një ekran infotainment të përputhshëm, lidhje aktive të automjetit dhe një smartphone që plotëson kërkesat e platformës.
AirConsole është zhvilluar mbi platformën e kompanisë N-Dream dhe Volkswagen e prezanton atë si një nga integrimet e para të këtij lloji nga një markë automobilistike me volum të lartë në SHBA.
Megjithatë, pas entuziazmit fillestar vjen edhe pjesa që mund të mos pëlqehet nga të gjithë: shërbimi nuk do të jetë falas përgjithmonë.
Për ta përdorur AirConsole nevojitet paketa In-Vehicle Premium, e cila aktivizohet përmes aplikacionit myVW. Për Atlas, Atlas Cross Sport, Tiguan, Golf GTI dhe Golf R, Volkswagen përfshin tre muaj provë falas, ndërsa ID.Buzz merr një vit të plotë.
Pas përfundimit të periudhës së provës, pronarët do të duhet të paguajnë një abonim për të vazhduar përdorimin e AirConsole dhe funksioneve të tjera të lidhura të automjetit.
Volkswagen ende nuk ka bërë të ditur çmimin përfundimtar të këtij abonimi në SHBA, kështu që mbetet e paqartë se sa do t’u kushtojë pronarëve dëshira për të luajtur Tetris në makinën e tyre edhe pas periudhës së provës. /Telegrafi/
