Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri Edi Rama tha se inteligjenca artificiale nuk do ta përcaktojë e vetme drejtimin e së ardhmes së njerëzimit. Sipas tij, ky vendim do të varet nga njerëzit dhe institucionet.
Rama u ndal edhe te liria e shprehjes dhe mënyra se si ajo lidhet me zhvillimin teknologjik. Ai theksoi se kjo liri nuk duhet të barazohet me përdorimin pa kufij të teknologjisë dhe pushtetit.
Të lidhura
None found
“Inteligjenca Artificiale nuk do të vendosë nëse ky shekull do t’i përkasë lirisë apo manipulimit. Vendimin do ta marrim ne. Makinat do të binden, por pyetja është se kujt do t’i binden, në bazë të cilit ligj dhe në shërbim të cilit qëllim njerëzor”, deklaroi Rama.
Ai tha se Shqipëria ka zgjedhur përshpejtimin dhe jo dorëzimin, inovacionin në vend të abdikimit, si dhe rritjen e aftësive njerëzore dhe jo dobësimin e tyre.
Kryeministri u shpreh se vendi ka zgjedhur gjithashtu lirinë e shprehjes, duke refuzuar që ajo të ngatërrohet me lirinë e pakontrolluar të makinave, parave dhe pushteteve të huaja për të arritur te çdo individ dhe në çdo vend, pa dhënë llogari.
“Ne zgjedhim të vërtetën, edhe kur ajo nuk është e lehtë apo e rehatshme, sepse pa një angazhim të përbashkët ndaj realitetit nuk mund të ndërtojmë një jetë të përbashkët publike”, u shpreh ai.
Rama paralajmëroi se mungesa e një përkushtimi të përbashkët ndaj realitetit të botës ku jetojmë do të përbënte tradhtinë më të rëndë që prindërit e kësaj bote, përgjatë historisë së njerëzimit, do t’u kishin bërë fëmijëve të tyre.
“Pa një botë të përbashkët nuk mund të ketë Kombe të Bashkuara”, përfundoi Rama, duke e cilësuar këtë si fundin e predikimit të tij nga shkretëtira dhe shpresën që ai ka, e cila mbetet mbështetja e fundit.
