Volkswagen ka vendosur të zgjerojë planin e reduktimit të fuqisë punëtore, duke parashikuar shkurtimin e 50 mijë vendeve të tjera të punës deri në fund të kësaj dekade. Me këtë masë, numri i përgjithshëm i pozicioneve që pritet të zhduken arrin në 100 mijë.
Të lidhura
None found
Plani i ri është dakordësuar mes drejtuesve të kompanisë dhe përfaqësuesve të sindikatave, ndërsa gjiganti gjerman përballet me rënie të kërkesës për automjete elektrike, tarifat amerikane dhe presionin në rritje nga prodhuesit kinezë.
Sipas Volkswagen, përshtatja e numrit të të punësuarve me “realitetet ekonomike” është e domosdoshme.
Shkurtimet përfaqësojnë rreth 15% të të gjithë fuqisë punëtore globale të grupit.
Ky konsiderohet ristrukturimi më i madh i vendeve të punës në historinë e industrisë botërore të automobilëve, duke kaluar edhe shkurtimet e ndërmarra më herët nga kompani si General Motors dhe Ford.
Pas vitit 2030 mbetet e pasigurt vazhdimësia e katër uzinave në Gjermani, të vendosura në Hannover, Emden, Zwickau dhe Neckarsulm.
Mbyllja e tyre do të shënonte herën e parë që Volkswagen ndërpret funksionimin e fabrikave të plota në vendin ku ka origjinën.
Plani i ristrukturimit është miratuar në mënyrë unanime nga bordi mbikëqyrës i kompanisë.
“Ky është një sinjal i fortë për të ardhmen e Volkswagen Group”, deklaroi drejtori ekzekutiv Oliver Blume.
Volkswagen Group zotëron marka të njohura ndërkombëtarisht, mes tyre Audi, Porsche, Škoda, SEAT, Cupra, Bentley, Lamborghini dhe Ducati.
