Renault ka freskuar Megane E-Tech në mesin e ciklit të saj, duke e pajisur me një bateri të re fosfat litium-hekuri me kapacitet 67 kWh. Si rezultat, modeli tani pretendon një autonomi prej 310 miljesh sipas standardit WLTP.
Kjo përfaqëson afërsisht 25 milje më shumë krahasuar me versionin para-facelift. Megjithatë, edhe pse përdor një arkitekturë të rafinuar nga qeliza në paketë, makina në tërësi është bërë 20 mm më e lartë.
Të lidhura
None found
Po ashtu, është e arsyeshme të mendohet se pesha është shtuar. Në praktikë, edhe përshpejtimi nga 0 në 100 kmh është ngadalësuar me një të dhjetën, duke shkuar në 7.6 sekonda, ndërsa vazhdon të përdorë të njëjtin motor me 217 kuaj fuqi që lëviz rrotat e përparme.
Nga ana tjetër, ndalesat në karikues do të jenë më të shkurtra, pasi fuqia e karikimit të shpejtë DC është rritur nga 130 kW në 165 kW.
Tashmë, mbushja e baterisë nga 15 në 80 për qind zgjat 24 minuta. Gjithashtu, sipas informacioneve të bëra të ditura, janë rikalibruar edhe sustat, amortizatorët dhe sistemi i drejtimit.
Sa i përket pamjes së jashtme, dizajni thuhet se tani paraqitet “më i mprehtë”, çka do të thotë se në pjesën e përparme gjithçka është e re, me përjashtim të dritave, transmeton Telegrafi.
Ndryshimet më të dallueshme përfshijnë dritat e reja të drejtimit në formë diamanti, si edhe një parakolp të ri me më shumë elemente në ngjyrën e karrocerisë. Po ashtu, është zhvendosur edhe emblema e Renault, ndërsa mes dritave është vendosur një grilë false më e madhe.
Për momentin ende nuk ka informacion për çmimin në Mbretërinë e Bashkuar, por është bërë e ditur se gama do të kufizohet tashmë në vetëm dy nivele pajisjesh.
Versioni bazë do të jetë Techno, i cili do të ofrojë fellne 19 inç, pompë nxehtësie dhe në kabinë dy ekrane 12 inç me Google të integruar.
Niveli më i pasur Esprit Alpine do të sjellë aliazhe 20 inç, ulëse me funksion masazhi dhe sistem audio Harman Kardon. /Telegrafi/
