Vllaznia i dha fund pritjes për një fitore në këtë sezon të Superiores, pasi triumfoi 1-0 ndaj Dinamos në stadiumin “Loro Boriçi”. Pas marrjes së tri pikëve, trajneri i skuadrës shkodrane, Csaba Laszlo, analizoi para mediave rëndësinë e këtij rezultati.
Të lidhura
None found
“Kjo fitore është ilaçi më i mirë për çdo problem, madje edhe për gripin tim. Tri pikët ishin shumë të rëndësishme për lojtarët, klubin dhe tifozët. Pas një starti të vështirë dhe pesë ndeshjeve pa fitore, sot bëmë një hap të madh përpara. Ky rezultat do të na ndihmojë të ngjitemi më lart në renditje.
Gjatë gjithë javës u përgatitëm me një plan të qartë për Dinamon. Përballë kishim një skuadër të mirë dhe një trajner cilësor, ndaj punuam posaçërisht për mënyrën se si do të luanim dhe do të lëviznim në fushë.
Duhet t’i jap meritat ekipit, sepse lojtarët ruajtën përqendrimin dhe nuk u dorëzuan në asnjë moment të ndeshjes. Kjo tregon se Vllaznia nuk është aq e dobët sa mund të jetë dukur nga pozicioni i saj në tabelë deri tani.
Unë marr vendimet që i shërbejnë më shumë skuadrës. Dinamo nuk krijoi asnjë rast të pastër, ndaj nuk pashë arsye për të bërë ndryshime dhe vendosa ta ruaja formacionin deri në fund. Në ndeshjen e ardhshme do t’u jap mundësi edhe lojtarëve të rinj”, deklaroi Laszlo.




