Thomas Strakosha drejt Manchester United

Do të ishte lëvizja më e rëndësishme për një lojtar shqiptar të Kombëtares dhe mund të finalizohet brenda pak ditësh. Thomas Strakosha është në “orbitën” e Manchester United.

Zbulimin e bëjnë mediat ishullore sipas të cilave, agjentët e Manchester po punojnë për të finalizuar marrëveshjen me ish-numrin 1 të Lazios, aktualisht pa një kontratë. Sipas “Talk Sports”, palët janë shumë pranë dhe 27-vjeçari shqiptar mund të firmosë shumë shpejt.

Nu bëhen të ditura detaje të tjera por nëse nënshkruan, ky do të ishte hapi më i madh në karrierën e portierit kuqezi që mbylli sezonin e fundit me 23 ndeshje dhe tre përballje me portën të paprekur.

Lëvizja e Ten Hag është e diktuar pasi skuadra angleze huazoi te Nottingham Forest portierin e dytë Dean Henderson dhe aktualisht ka në organikë vetëm David De Gean dhe Strakosha mund të jetë zëvendësi i spanjollit gjatë sezoneve të ardhshme. Pas 10 viteve dhe më shumë se 200 ndeshjeve me Lazion, 27-vjeçari i zbuluar te Panionios që numëron 19 ndeshje me fanellën kuqezi, është gati për kontratën e jetës.


Shtuar 9.07.2022 18:50