Grabitje e madhe në vilën e Vidal, mesfushorit i marrin bizhuteri dhe një Mercedes

Grabitjet në vilat luksoze të futbollistëve janë shndërruar në një fenomen të zakonshëm, sidomos kur bëhet fjala për Italinë.

Së fundmi, në mediat përtej Adriatikut është zbuluar një grabitje e përmasave gjigande në vilën luksoze të futbollistit të Inter, Arturo Vidal.

Në fakt, ngjarja nuk është e freskët teksa ka ndodhur më datë 7 nëntor të vitit të kaluar teksa kileni ishte në fushë për derbin ndaj Milan, por është bërë publike vetëm ditën e sotme.

Hajdutët kanë thyer xhamat e vilës dhe ia kanë dalë të marrin prej andej disa ora të shtrenjta dhe të tjera bizhuteri me vlerë të lartë. Ndërkohë, ajo që ka bërë më shumë bujë ka qenë grabitja e një fouristrade tip Mercedes, të cilën Vidal e kishte të parkuar në oborr.

Sakaq, edhe pse “thesi” i hajdutëve ka qenë plotë, ata kanë tentuar të marrin edhe Ferrarin e parkuar po në oborr, megjithatë në këtë tentativë kanë dështuar duke u kënaqur vetëm me Mercedesin. Sa i përket fatit të hajdutëve, ata ende nuk janë zbuluar edhe pse policia po vazhdon punën për të rënë në gjurmët e tyre.


Shtuar 28.11.2021 12:37