Gjykata e dënoi me 100 orë punë, “zhduket” ish-futbollisti i Tiranës

Ish futbollisti i klubit të Tiranës Essua Cobbina është shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Tiranës pasi nuk respektoi dënimin dhe është larguar jashtë vendit pa e shlyer atë.

Në nëntor të 2020-ës Cobbina u dënua për falsifikim dokumentesh me vendim të formës së prerë me 4 muaj burg, që iu konvertua në 100 orë punë në interes publik, dënim që duhej shlyer brenda 6 muajsh. Por sipas verifikimeve Shërbimi i Provës nuk e ka gjetur futbollistin dhe ky i fundit nuk ka marrë kontakt asnjëherë edhe pse duhet të paraqitej.

Për këtë shkak prokuroria ka kërkuar pezullimin e dënimit me punë në interes publik dhe rikthimin e tij 4 muaj në burg. Referuar sistemit TIMS, ish mesfushori i Tiranës është larguar nga Shqipëria në nëntor të 2020-ës.

Sipas avokatit të tij, Winnful Essua Cobbina aktualisht ndodhet në shtetin e Egjiptit për arsye pune. I dënuari Winnful Essua Cobbina është me profesion futbollist dhe aktualisht ka lidhur kontratë pune me klubin “Ceramisa Cleopatra”, në Egjiptit, Kajro.

Kujtojmë se ne në fund të muajit shtator 2020, futbollisti ganez i Tiranës, Winnful Essua Joseph Cobbina mori pasaportën shqiptare me një dekret të veçantë nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. Ishte një kërkesë e klubit bardh e blu që futbollisti i saj të mos humbte ndeshjen e rëndësishme kundër Young Boys në Zvicër dhe kreu i shtetit e firmosi dekretin në një kohë rekord, për 4 ditë

Winnful Essua Joseph Cobbina ka mbërritur në Korrik të 2018-ës në Tiranë. Vetëm pas 2 vjetësh ai mori nënshtetësinë shqiptare “për merita të veçanta”.


Shtuar 17.07.2021 11:57