BDI e cilëson si dështimin më të madh të VLEN-it gjatë dy viteve në pushtet çështjen e integrimit evropian. Nënkryetari Bujar Osmani deklaroi se vendi nuk ka shënuar asnjë përparim drejt Bashkimit Evropian, pavarësisht se, sipas tij, VLEN kishte premtuar përshpejtim të këtij procesi, me dinamikë dhe kredibilitet që në gjashtë muajt e parë të qeverisjes.
Të lidhura
None found
Sipas Osmanit, bilanci është zhgënjyes, ndërsa vendi ka mbetur në vendnumëro dhe agjenda evropiane është zëvendësuar nga politika e përditshme. “Rezultatet janë dëshpëruese. Shteti nuk ka bërë as edhe një hap të vetëm substancial drejt Bashkimit Evropian. Në vend të përshpejtimit, kemi stagnim. Në vend të reformave, kemi improvizime dhe në vend të agjendës evropiane, kemi politikë ditore.
Kryesuesi i ri i BE-së prezantoi agjendën e re dhe vendi jonë është i vetmi që nuk përmendet fare. Humbjen më të madhe të agjendës evropiane, VLEN ua ka shkaktuar shqiptarëve, votuesve të vet dhe popullit. Këtë nuk e themi ne, këtë e thotë Brukseli, këtë e thotë Parlamenti Evropian”, tha Bujar Osmani.
Osmani u ndal edhe te raporti i fundit i raportuesit, duke theksuar se Parlamenti Evropian ka evidentuar qartë regres dhe ka kërkuar angazhim të ri politik për të çuar përpara rrugën evropiane.
“Parlamenti Evropian konstaton qartë regres dhe kërkon angazhim të ripërtërirë politik për vazhdimin e rrugës evropiane. Ai kërkon respektim dhe zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe paralajmëron se besimi ndëretnik dhe parimi i barazisë nuk guxojnë të vihen në pikëpyetje.
Një element veçanërisht i rëndësishëm, sipas tij, është kërkesa e Parlamentit Evropian që institucionet të sigurojnë respektimin e plotë të barazisë gjuhësore.
“Kur Parlamenti Evropian detyrohet t’i kujtojë institucioneve të këtij shteti që të respektojnë të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve, atëherë kjo është dëshmia më e fortë e dështimit të VLEN-it si përfaqësues politik në Qeveri”, tha Osmani.

