LSDM, partia opozitare, ka akuzuar Qeverinë e drejtuar nga Hristijan Mickoski se po dëmton në mënyrë të qëllimshme sistemin pensional në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka paralajmëruar se mungesa e mjeteve financiare mund të rrezikojë si pagesën e pensioneve, ashtu edhe funksionimin e shtyllës së dytë pensionale.
Të lidhura
None found
Gjatë një konference për media, anëtarja e Këshillit Ekzekutiv të LSDM-së, Renata Mladenovska, tha se boshllëku financiar në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor (FSPI) ka arritur në 40 për qind. Sipas saj, në dyshim është vënë edhe e ardhmja e shtyllës së dytë pensionale.
Ajo përmendi edhe deklaratën e guvernatorit Trajko Sllaveski, i cili ka thënë se deri në 80 për qind e qytetarëve që do të pensionohen në periudhën 2030–2032 nuk do të mund të sigurojnë as pensionin minimal.
Sipas qëndrimit të LSDM-së, Qeveria po përgatit dobësimin ose heqjen e shtyllës së dytë pensionale, përmes rikthimit të kontributeve të punëtorëve nga fondet private te fondi shtetëror FSPI. Opozita vlerëson se një hap i tillë do t’i linte pensionistët e ardhshëm të varur vetëm nga buxheti i shtetit, i cili, sipas saj, tashmë përballet me vështirësi të mëdha financiare.
Mladenovska hodhi akuza edhe për rritjen e borxhit publik, duke thënë se Qeveria, vetëm në dy vjet, e ka shtuar atë me 2.5 miliardë euro. Ajo shtoi gjithashtu se deficiti buxhetor i parashikuar për gjithë vitin është konsumuar që në gjashtëmujorin e parë.

