Ilço Gjorgjioski, ish-kreu i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), është arrestuar gjatë një operacioni të zhvilluar nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë Financiare.
Aksioni, i drejtuar nga një prokuror i kësaj prokurorie, ka nisur që në orët e para të mëngjesit dhe po shtrihet në disa lokacione, ku po realizohen kontrolle. Në kuadër të këtyre veprimeve është ndaluar edhe ish-udhëheqësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë.
Të lidhura
None found
Në pranga ka rënë gjithashtu edhe Olgica Mladenovska, e cila gjatë kohës së mandatit të tij mbante përgjegjësinë për financat, si edhe afro dhjetë persona të tjerë. Ata dyshohen për abuzime financiare që, sipas dyshimeve, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Shtëpisë së Futbollit.
Kjo është hera e dytë brenda një kohe të shkurtër që një ish-drejtues i FFM-së përfundon në paraburgim për akuza të rënda që lidhen me krimin financiar. Më pak se dy muaj më parë ishte arrestuar edhe Muamed Sejdini, ndaj të cilit rëndojnë akuza për përvetësimin e 700.000 eurove, një donacion i UEFA-s për ndërtimin e një tribune në stadiumin e Ohrit./ Sport1.mk
