Në dy paraqitjet e qershorit për regjistrim në shkollat e mesme për vitin shkollor 2026/2027, janë regjistruar gjithsej 15 705 nxënës, bëri të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave të MASH-it, 11 171 nxënës janë regjistruar për ndjekjen e mësimit në gjuhën maqedonase, 4241 në gjuhën shqipe, 279 në gjuhën turke dhe 14 në gjuhën serbe.
Ndarë sipas llojit të arsimit, në të dy afatet janë regjistruar 4653 nxënës në arsimin gjimnazial dhe 10 823 në arsimin profesional. Në Akademinë sportive janë regjistruar 229 nxënës, ndërsa për arsimin artistik, sipas njoftimit të MASH-it, procesi i përzgjedhjes ende nuk ka përfunduar.
Afati i dytë i paraqitjes u realizua më 23 qershor, ndërsa dokumentacioni i nevojshëm u dorëzua nëpër shkolla më 24 qershor. MASH njoftoi se në këtë afat të dytë të qershorit janë paraqitur 2927 nxënës, prej të cilëve 1457 për mësim në gjuhën maqedonase, 1369 për mësim në gjuhën shqipe dhe 101 për mësim në gjuhën turke.
Më herët, MASH kishte informuar se në paraqitjen e parë për regjistrim në arsimin e mesëm, e zhvilluar me aplikim elektronik nga 12 deri më 15 qershor, ishin paraqitur 15 075 nxënës, ndërsa pas selektimit të bërë në arsimin artistik u regjistruan 13 423.
Nga ky numër, 9839 nxënës ishin regjistruar për mësim në gjuhën maqedonase, 3357 në gjuhën shqipe, 213 në gjuhën turke dhe 14 nxënës në gjuhën serbe.

