LSDM ka akuzuar Qeverinë e drejtuar nga Hristijan Mickoski se po dëmton në mënyrë të qëllimshme dhe të vazhdueshme sistemin pensional në Maqedoninë e Veriut, ndërsa paralajmëron se mungesa e financave po rrezikon si pagesën e pensioneve, ashtu edhe funksionimin e shtyllës së dytë pensionale.
Të lidhura
None found
Në një paraqitje para mediave, anëtarja e Këshillit Ekzekutiv të LSDM-së, Renata Mladenovska, tha se mungesa e mjeteve në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor (PIOM) ka arritur në 40 për qind. Sipas saj, në dyshim është vënë edhe perspektiva e shtyllës së dytë pensionale.
Ajo përmendi edhe deklaratën e guvernatorit Trajko Sllaveski, i cili ka thënë se deri në 80 për qind e qytetarëve që do të pensionohen në periudhën 2030–2032 nuk do të mund të sigurojnë as pensionin minimal.
Sipas opozitës, Qeveria po përgatit dobësimin ose heqjen e shtyllës së dytë pensionale, përmes rikthimit të kontributeve të punëtorëve nga fondet private në fondin shtetëror PIOM. LSDM pretendon se një masë e tillë do t’i linte pensionistët e ardhshëm të varur vetëm nga buxheti i shtetit, i cili, sipas saj, tashmë është në gjendje të rëndë financiare.
Mladenovska akuzoi gjithashtu ekzekutivin se brenda vetëm dy vjetëve ka shtuar borxhin publik me 2.5 miliardë euro dhe se deficiti buxhetor i parashikuar për të gjithë vitin është harxhuar që në gjysmën e parë të tij.
Sipas vlerësimit të LSDM-së, arsyeja kryesore e kësaj gjendjeje janë, siç tha ajo, tenderët korruptivë partiakë. Ajo shtoi se mjetet që duhej të shkonin për pensione, shëndetësi, arsim dhe paga po përfundojnë te persona të afërt me pushtetin.
Opozita vlerëson se politikat e Qeverisë nuk rrezikojnë vetëm pensionet e pensionistëve aktualë, por edhe sigurinë financiare të gjeneratave që vijnë.

