Në një reagim të publikuar sot, LSDM-ja opozitare e akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski se është duke punuar për krijimin e një force të re politike, të cilën partia e cilëson si “ZNAM 2.0”, me synimin që të ndikojë në ndarjen e votave të opozitës në zgjedhjet e ardhshme.
Të lidhura
None found
“Hristijan Mickoski tashmë po punon për krijimin e një instrumenti të ri, një sateliti të ri – ZNAM 2.0, i cili duhet të shërbejë për të thyer votat e opozitës në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.
Sipas LSDM-së, Qeveria po përballet me rënie të mbështetjes, ndërsa, sipas vlerësimit të tyre, në punën e saj mungojnë rezultate konkrete.
Po ashtu, LSDM vlerëson se themelimi i asaj që e quan “ZNAM 2.0” përbën një tentativë për manipulim politik, duke shtuar se qytetarët tashmë i njohin këto strategji politike dhe, siç thonë ata, nuk do të lejojnë të mashtrohen.

