Me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi se 35 vjet shtetësi kanë dëshmuar se ndërtimi i një shteti nuk përmbyllet me një akt politik, referendum apo shpallje pavarësie.
Të lidhura
None found
“Shteti ndërtohet përditë, përmes institucioneve që funksionojnë, të drejtave të barabarta për çdo qytetar, përgjegjësisë, punës, arsimit dhe zhvillimit ekonomik. Mbi të gjitha, ai mbështetet te njerëzit që e shohin të ardhmen e tyre personale të lidhur me të ardhmen e përbashkët të shtetit”, u shpreh Gashi.
Ai nënvizoi se përkatësitë e ndryshme etnike, gjuhësore, fetare dhe kulturore të vendit duhet të konsiderohen pasuri dhe forcë e përbashkët, e jo arsye për ndarje.
Sipas kreut të Kuvendit, institucionet duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë dhe korrupsioni nuk duhet të ketë tolerim.
Gashi tha gjithashtu se orientimi evropian duhet të vijojë të jetë një synim që bashkon të gjithë, ndërsa uroi qytetarët për 35-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
