Njësia për Krim Kompjuterik në Tetovë, në bashkëpunim me Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka arritur të sqarojë tërësisht incidentin e një videoje të shpërndarë në platformën “TikTok”, ku shfaqej djegia e flamurit shtetëror të Maqedonisë.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit zyrtar të MPB-së, më 22 shtator 2026, gjatë kontrolleve rutinë në rrjete sociale, oficerët e policisë identifikuan një përmbajtje video që përbënte veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose intolerancës mbi baza kombëtare, fetare dhe diskriminuese”, e sanksionuar nga neni 319, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Autoritetet konfirmuan se pas një sërë veprimesh hetimore dhe operacionale, më 23 shtator 2026 u zbulua se mbrapa këtij profili fshihej një i mitur nën moshën 14-vjeçare, banues në Tetovë. Në stacionin policor, përballë prindit dhe punonjësve të Qendrës për Punë Sociale Tetovë, i riu u mor në pyetje dhe pranoi autorësinë e veprës. Pajisja celulare nga e cila ishte ngarkuar videoja u sekuestrua me miratimin e prindit, për të shërbyer si provë materiale në proces.
Gjatë marrjes në pyetje, i mituri përmendi përfshirjen e tre bashkëmoshatarëve të tjerë në këtë akt. Ata pritet të thirren së shpejti për të dhënë llogari në stacionin policor, me qëllim hetimin e plotë të çështjes. MPB-ja theksoi se sapo të përfundojë dokumentimi i dosjes, do të dërgohet kallëzimi përkatës pranë Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë.
