Një provë e thjeshtë dëshmoi se edhe pak minuta komunikim me njerëz të panjohur mund të ndikojnë te humori, vetëbesimi dhe ndjesia e lidhjes me të tjerët.
Të lidhura
None found
Çdo ditë kryqëzohemi me dhjetëra persona në autobus, dyqan, park, palestër ose teksa presim fëmijët pas aktiviteteve të tyre, por zakonisht kalojmë pranë tyre pa shkëmbyer asgjë më shumë se një vështrim.
A mund të ndryshojë gjendjen tonë emocionale dhe afërsinë që ndiejmë me njerëzit një bisedë disaminutëshe me dikë që nuk e njohim?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, gazetarja dhe shkrimtarja Katharine Chan ndërmori një eksperiment shtatëditor. Rregulli ishte i qartë: për shtatë ditë radhazi, ajo duhej të hapte çdo ditë një bisedë me një të panjohur.
Shumë njerëz përreth, por fare pak komunikim i drejtpërdrejtë
Sipas Chan, bashkëshorti i saj është në gjendje të çojë fëmijët në futboll dhe të kthehet prej andej me numrat e telefonit të personave që sapo ka takuar.
Sjellja e saj është krejt e kundërt. Kur shkon për të marrë fëmijët, ajo vendos shpesh kapelë dhe syze dielli, me shpresën se askush nuk do të përpiqet të bisedojë me të.
Për shkak të punës si shkrimtare, pjesën më të madhe të ditës e kalon përpara ekranit dhe komunikon kryesisht me email ose mesazhe. Ndërveprimet e saj ballë për ballë kufizohen kryesisht te bashkëshorti, si dhe, herë pas here, te ndonjë prind tjetër.
Kjo rutinë e shtyu të mendonte nëse gabimisht kishte krijuar përshtypjen se njohjet e reja kërkojnë patjetër shumë energji dhe kohë. Për këtë arsye nisi eksperimentin, transmeton Telegrafi.
Dita e parë: Nga një pyetje e zakonshme te kujtimet e emigrimit
Personi i parë me të cilin Chan vendosi të fliste ishte kujdestari i shkollës së fëmijëve.
Ajo që nisi si një pyetje e zakonshme, shpejt u kthye në një rrëfim mbi familjen dhe emigrimin. Kujdestari i tregoi se si kishte mbërritur në Kanada, ndërsa historia e tij i solli Chan në mendje përvojën e prindërve të saj, të cilët kishin emigruar dekada më parë.
Ndonëse e kishte parë shumë herë në mjediset e shkollës, ajo kuptoi papritur se pas atij personi qëndronte një histori e plotë.
Në përfundim të javës, kjo do të renditej ndër përvojat më të bukura të gjithë eksperimentit.
Dita e dytë: Gjithçka nisi me një pyetje të thjeshtë
Një ditë më pas, teksa vajza e saj ndiqte kursin e ukuleles, pranë Chan zuri vend një nënë tjetër.
Për ta hapur bisedën, ajo e pyeti nëse dita e saj kishte qenë e ngarkuar.
Kaq mjaftoi që të nisnin të flisnin natyrshëm për lodhjen, fëmijët dhe vështirësitë e prindërimit. Të dyja qeshën dhe, kur u larguan, patën ndjesinë se me shumë gjasë do të komunikonin sërish në takimin e ardhshëm.
Nuk ishte një ngjarje e pazakontë, por kjo përbënte pikërisht thelbin e provës: krijimi i një lidhjeje njerëzore nuk varet gjithmonë nga një bisedë e gjatë.
Dita e tretë: Një ndërveprim i shkurtër nuk do të thotë dështim
Në këndin e lojërave, Chan tentoi të komunikonte me një baba që po kujdesej për vajzën e tij të vogël.
Shkëmbimi i fjalëve përfundoi shpejt, pasi ai e kishte vëmendjen te fëmija dhe rrethanat nuk ishin të përshtatshme për një bisedë.
Megjithatë, ajo nuk e konsideroi këtë përpjekje si të dështuar.
Eksperimenti po i tregonte se jo të gjithë kanë mundësi ose dëshirë të flasin në një moment të caktuar, dhe se kjo është plotësisht normale.
Një qen, vizita në palestër dhe pak minuta afërsi
Në një prej ditëve të tjera, një qen krijoi rastin për një bisedë të përzemërt mes Chan, vajzës së saj dhe një çifti të moshuar.
Në palestër, komunikimi rezultoi më i vështirë. Thuajse të gjithë mbanin kufje dhe ishin të përqendruar në ushtrimet e tyre, ndaj Chan mundi të shkëmbente vetëm disa fjalë me një punonjës.
Edhe kjo përvojë përmbante një mësim: ka vende që e favorizojnë komunikimin dhe të tjera ku njerëzit janë më pak të hapur ndaj tij.
Fjalët e një të panjohure që i ndryshuan ditën
Biblioteka ishte vendi ku ndodhi një prej takimeve që e prekën më shumë.
Chan dhe fëmijët e saj i ofruan ndihmë një gruaje të moshuar në karrocë. Ky veprim i vogël çoi në një bashkëbisedim rreth familjes dhe nipërve.
Para se të ndaheshin, gruaja i tha Chan se ishte një nënë e mirë dhe se duhej të vazhdonte atë që po bënte.
Ndonëse vinin nga dikush që nuk e kishte takuar kurrë më parë, ato pak fjalë i mjaftuan për t’ia zbukuruar të gjithë ditën.
Njohja e rastësishme që i mësoi diçka praktike
Në ditën e fundit të sfidës, Chan iu drejtua një gruaje pranë sektorit të mishit në supermarket.
Gjatë bisedës mësoi se ajo ishte kuzhiniere profesioniste. Gruaja i shpjegoi si të njihte disa pjesë të mishit dhe çfarë duhej të shikonte për të zgjedhur një biftek të mirë.
Më pas, vajza e Chan i tha se kishte bërë mirë që kishte biseduar me të.
Në atë çast, gazetarja dalloi një dobi tjetër të këtyre kontakteve: personat që hasim rastësisht mund të zotërojnë njohuri që nuk do t’i merrnim kurrë, nëse nuk do t’u drejtonim fjalën.
Si ndikojnë bisedat e shkurtra në mirëqenien tonë?
Në psikologji, kontakte të tilla njihen si “lidhje të dobëta”. Ato nuk kanë afërsinë e marrëdhënieve familjare ose të miqësive, por përsëri mund të sjellin ndikim pozitiv në mirëqenien e një personi.
Psikologu Harry Cohen thotë se ndërveprimet e vogla shoqërore mund të përmirësojnë humorin, të pakësojnë vetminë dhe të forcojnë ndjenjën e përkatësisë.
Psikoterapistja Terri Cole përmend gjithashtu një studim, sipas të cilit udhëtarët që nisën bisedë me një të panjohur në autobus ose tren raportuan humor më të mirë se personat që qëndruan vetëm.
Ndryshimi që solli eksperimenti shtatëditor
Pas shtatë ditësh, Chan nuk kishte krijuar shtatë miqësi të reja dhe jeta e saj nuk kishte pësuar ndonjë transformim rrënjësor.
Ajo që ndryshoi ishte këndvështrimi i saj ndaj personave që e rrethonin.
Çdo ditë nisi të priste me kureshtje takimin e radhës dhe historinë që mund të dëgjonte prej tij.
Mes të gjitha përvojave, në kujtesë i mbeti veçanërisht biseda me kujdestarin e shkollës, një njeri që kishte qenë prej kohësh aty, por të cilin ajo nuk kishte arritur ta njihte vërtet.
Vetëm pak minuta komunikim kishin bërë që të dy të vijonin ditën duke u ndier më mirë.
Jo gjithmonë duhen shumë fjalë
Cohen sugjeron që hapi i parë të jetë fare i vogël: një buzëqeshje, një “mirëmëngjes”, përshëndetja e fqinjit ose gatishmëria për t’i ofruar dikujt ndihmë.
Qëllimi nuk është të detyrojmë veten të bëhemi miq me cilindo që takojmë, por të kuptojmë vlerën që mund të kenë edhe kontaktet më të vogla njerëzore.
Në fund të eksperimentit, Chan kuptoi se largimi nga zona e rehatisë nuk nënkupton medoemos ndërmarrjen e hapave të mëdhenj.
Ndonjëherë, disa minuta të kaluara duke folur me një të panjohur janë të mjaftueshme për ta bërë ditën më interesante, për të ngritur humorin dhe për të na kujtuar se bota është shumë më e lidhur nga sa mund të mendojmë.
