“Zgjedhjet e 25 Prillit nuk ishin perfekte”, ambasadorja Kim: Koha të sigurohet vota e diasporës

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka qenë e pranishme në konferencën e organizuar nga OSBE në bashkëpunim me KQZ, për të folur për të drejtën e mohuar të diasporës, për të votuar në zgjedhjet që mbahen në Shqipëri.

Kim u shpreh se është koha që kjo të ndryshojë tani, ndërsa u ndal dhe te zgjedhjet e vitit të kaluar, që sipas saj, pavarësisht se shënuan progres nuk ishin perfekte.

“Sikurse e përmendi dhe kryetarja e Kuvendit, është vërtetë koha e duhur që diaspora të ushtrojë të drejtën e votës, demokracia përcaktohet nga mënyra se si qytetarët zgjedhin.

Zgjedhjet e 2021 shënuan një ngjarje vendimtare që ishte rikthimi i opozitës në Kuvend, zgjedhjet e 25 Prillit ishin të mira, por jo perfekte dhe të gjithë e dinë këtë.

SHBA presin që të punojnë me institucionet për problemet, përfshirë edhe të drejtën e diasporës për të votuar. Ne nxisim punën dy partiake, që zgjedhjet e ardhshme të plotësojnë standardet.

Sa më demokratikë të bëhemi aq më demokratikë do të jemi, pavarësisht dallimeve. SHBA do të mbështesin Shqipërinë që të integrohet në familjen europiane”, tha Yuri Kim