Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, ka refuzuar të flas për presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Kjo pasi sipas tij, do të mund të kishte pasoja të mëdha për qytetarët e Serbisë.
Ai ka thënë se puna detyra e tij si president është që të veprojë në interes të Serbisë.
“Çdo gjë që do t’ua thoja (për Zelenskyn), do të merrte konotacion personal dhe do të prodhonte pasoja të mëdha për qytetarët e Serbisë. Nuk mund ta bëj këtë”, ka thënë Vuçiç.
Vuçiç ka folur edhe për raportet e mira që i ka Serbia me Rusinë, duke thënë se pas Nikola Pashiçit, ai është presidenti i vetëm që ka marrë medalje nga shteti rus.
Lidhjet e mira me Rusinë, Vuçiç ka ilustruar edhe përmes familjes së tij, duke thënë që vajza e tij ka shkuar në një shkollë ruse dhe flet rrjedhshëm rusishten.
“Vajza ime ka shkuar në një shkollë ruse. Ajo flet një rusishte perfektë. Të gjithë ne mund ta kuptojmë gjuhën politike dhe kjo situatë na impakton rëndë. Duhet të kujdesem për Serbinë”, ka thënë ai.
Duke folur për luftën në Ukrainë, Vuçiç ka thënë se “gjendemi në një lloj konflikti botëror”.
“Njerëzit duhet ta kuptojnë se ajo që shohim në televizione nuk është e tëra. Është vetëm njëra pjesë. Ky konflikt ndikon në vendin tonë”, ka thënë ai.