Në Britani ka nisur përballja me drejtësinë për një 40-vjeçar pjesërisht të verbër, i cili akuzohet se ka vrarë dy gra, ka përdhunuar një tjetër dhe ka kryer disa sulme seksuale ndaj grave, kryesisht punonjëse seksi.
Daily Mail raporton se në një gjykatë të Londrës ka filluar procesi gjyqësor ndaj Simon Levy, i dyshuar për kryerjen e këtyre krimeve përgjatë një periudhe tetëmujore gjatë vitit 2025.
Të lidhura
None found
Prokurori Tom Little e paraqiti të akuzuarin si një “grabitqar seksual serial”, duke nënvizuar se ai ka një të kaluar të gjatë dënimesh për vepra penale seksuale ndaj grave.
Sipas organit të akuzës, nga korriku 2018 deri në maj 2025, Levy ka kryer në total 13 sulme seksuale.
Në shtator 2021, ai ishte shpallur fajtor për një sulm seksual të ndodhur në korrik 2018, si edhe për një tjetër sulm seksual me penetrim të kryer në gusht të atij viti.
Më 5 shkurt 2026, ndaj tij u dha një tjetër dënim për 11 sulme të tjera seksuale kundër grave të ndryshme, të kryera nga prilli 2022 deri në maj 2025. Gjashtë nga këto raste i përkasin pesë muajve të parë të vitit 2025, periudhë gjatë së cilës, sipas aktakuzës, ai sulmoi edhe tre viktimat që janë pjesë e këtij gjykimi.
“Këto dënime tregojnë qartë qëndrimin dhe sjelljen e tij ndaj grave”, tha prokurori.
Rasti i parë i përfshirë në këtë proces ka të bëjë me një punonjëse seksi 35-vjeçare, e cila, sipas prokurorisë, u përdhunua në janar 2025.
Në dëshminë e saj, gruaja tha se Levy e kishte mbytur derisa ajo humbi ndjenjat dhe se kishte pësuar edhe thyerje të klavikulës, pasi ai kishte rënë sipër saj. Ajo u tregoi hetuesve se kishte menduar se do të humbte jetën.
Ajo deklaroi gjithashtu se i pandehuri i kishte mbuluar gojën dhe hundën me duar, ndërsa i kishte futur një gisht në fyt për ta penguar të thërriste, duke i thënë: “Hesht, qetësohu”.
Sipas prokurorisë, ai e kishte lënë gruan me bindjen se kishte vdekur, por ajo arriti të rifitonte vetëdijen dhe të mbijetonte.
Dy muaj më pas, sipas aktakuzës, Levy vrau 53-vjeçaren Carmenza Valencia-Trujillo, e cila u gjet pa shenja jete më 17 mars 2025 në shkallët e një kompleksi banesash të braktisur në Southwark, në juglindje të Londrës.
Afër trupit të viktimës u zbulua një tub metalik me gjakun e të pandehurit, ndërsa ADN-ja e tij u identifikua edhe në trupin e gruas. Viktima, e cila ishte përdoruese droge, kishte plagë në fytyrë dhe shenja kompresioni në qafë.
Ai u arrestua më 1 prill, por gjatë marrjes në pyetje refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të hetuesve. Meqenëse në atë fazë nuk mund të përcaktohej me siguri shkaku i vdekjes, ai u la i lirë.
Sipas prokurorisë, më 24 gusht 2025, ai vrau edhe 39-vjeçaren Cheryl Wilkins.
Trupi i saj u gjet pas një muri në një parking në Tottenham, pranë vendit ku ishte regjistruar sulmi i parë për përdhunim dhe jo larg banesës së të pandehurit.
Gruaja u gjet e shtrirë me fytyrë nga toka dhe me 83 lëndime në fytyrë, kokë, trup dhe gjymtyrë.
Edhe në këtë rast, shkaku i vdekjes u cilësua si “i papërcaktuar”, megjithatë prokuroria pretendon se ajo mund të ketë ndërruar jetë nga asfiksia, si pasojë e mbulimit të gojës dhe hundës, shtypjes së qafës ose presionit në kraharor.
Hetuesit thanë se edhe në trupin e saj u identifikua ADN-ja e Simon Levy.
Avokatja mbrojtëse Siobhan Gray argumentoi se çështja e prokurorisë bazohet në rrethana dhe jo në prova të drejtpërdrejta.
Ajo tha se nuk është provuar që dy gratë janë vrarë, duke lënë të hapur mundësinë se ato mund të kenë vdekur si pasojë e përdorimit të drogës.
Po ashtu, mbrojtja theksoi se dënimet e mëparshme të klientit të saj kanë të bëjnë me vepra të tjera penale dhe nuk mund të përdoren si provë për akuzat e tanishme.
Simon Levy i hedh poshtë të gjitha akuzat. Ai pretendon se marrëdhëniet seksuale me të dyja gratë kanë qenë me pëlqim dhe nuk pranon fajësi për dy vrasjet, dy përdhunimet, shkaktimin e rëndë të dëmtimeve trupore dhe akuzën për asfiksi jo-fatale.
