Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në ditën e tij të dytë të vizitës zyrtare 3-ditore në Maqedoninë e Veriut, është takuar sot me liderin e BDI, Ali Ahmeti dhe kandidatin për kryeministër Dimitar Kovaçevski.
Me Ahmetin Meta shkëmbeu vlerësime të vlefshme për zhvillimet e dy vendeve, ku në fokus ishin përshpejtimi i procesve integruese përsa i përket integrimit në Bashkimin Evropian. Në një postim në Facebook në lidhje me këtë takim, Presidenti Meta u shpreh se më tej në takim u diskutua gjithashtu edhe rëndësia e zbatimit të projektit madhor të Korridorit të 8, që do të lidhë më shumë vendet tona.
Ndërsa takimi me Kovaçevskin, u fokusua në disa tema aktuale me fokus bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje, nismën “Open Balkan” dhe procesin e integrimit evropian. Nga LSDM, njoftojnë se Kovaçevski shprehu besimin se bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet dy vendeve do të intensifikohet edhe më tej përmes iniciativës “Open Balkan” dhe se të dyja vendet së shpejti do të fillojnë negociatat me Bashkimin Evropian./albeu.com/