Ivi Kaso: Rreth 1 mijë persona janë ndaluar në protesta, shumica pretendojnë keqtrajtime në polici

Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve gjatë tubimeve studentore. Në emisionin “Prime News24”, ai tha se janë dokumentuar raste të rënda dhune, si gjatë ndalimit të qytetarëve, ashtu edhe pasi ata janë dërguar në komisariate.

Sipas Kasos, strukturat policore nuk kanë përmbushur detyrimin për të garantuar zhvillimin e tubimeve paqësore. Ai theksoi se, edhe në rastet kur shfaqen episode sporadike dhune, ndërhyrja duhet të bëhet me mjete proporcionale dhe nga punonjës të trajnuar.

Të lidhura

None found

“Janë evidentuar raste tronditëse për opinionin publik. Policia ka qenë dhe mbetet tërësisht jashtë misionit të saj për të garantuar tubimet dhe, edhe nëse ka raste dhune sporadike, duhet të përgjigjet me mjetet proporcionale që parashikon ligji, nga policë të trajnuar për atë punë”, deklaroi Kaso.

Ai ngriti gjithashtu pretendimin se gjatë ndërhyrjeve ndaj protestuesve janë dhënë udhëzime që ata të mos kursehen.

Deputeti bëri me dije se Partia Demokratike ka krijuar një grup pune, i cili po mbledh dhe verifikon rastet e ndalimeve, si dhe denoncimet për dhunë nga efektivët e policisë.

“Në protesta kemi një grup pune që mbledh rastet. Kemi trajtuar mbi 500 raste të personave të ndaluar. Kanë qenë rreth 1 mijë të ndaluar. Një pjesë janë liruar që në fillim, të tjerët në gjykatë. Pjesa dërrmuese kanë lënë paraburgimin”, u shpreh ai.

Kaso tha se pjesa më e madhe e personave të ndaluar, rastet e të cilëve janë shqyrtuar nga grupi i punës, kanë deklaruar se janë dhunuar fizikisht gjatë shoqërimit dhe qëndrimit në komisariate.

Një tjetër pretendim i rëndë i ngritur prej tij ka të bëjë me përdorimin e një hapësire brenda Ministrisë së Arsimit për dhunimin e protestuesve, përpara se ata të dërgoheshin në komisariat.

“Edhe në një ambient në Ministrinë e Arsimit, një dhomë u kthye si dhomë trajtimi e Gestapos, ku u futën të ndaluarit që u kapën te Rruga e Durrësit. Dhunoheshin aty dhe çoheshin në komisariate”, deklaroi Kaso.

Deputeti demokrat kërkoi që denoncimet për dhunë dhe keqtrajtim të mblidhen, të dokumentohen dhe t’u nënshtrohen verifikimeve nga institucionet përgjegjëse.


Shtuar më 26.10.2026 21:39