Testi i matematikës, QSHA: Provimi nuk përsëritet!

Qendra për Shërbimet Arsimore hedh poshtë akuzat e maturantëve se testi i matematikës kishte dalë jashtë programit mësimor të vitit dhe përjashton çdo mundësi për përsëritje të këtij provimi.

“Ripërsëritje të testit nuk do të ketë. Absolutisht jo. Një rishpërndarje pikësh edhe mundet. Por do shikojmë nëse ndonjë pyetje ka vështirësi dhe do kemi ulje pragu të pikëve për notat”, ka deklaruar në një intervistë për ABC News drejtorja e QSHA, Rozana Vrapi.

Ajo ka theksuar se janë korrigjuar rreth 8 mijë testime dhe nga të cilat ka pasur disa nxënës të cilët e kanë zgjidhur 100 për qind testimin. Vrapi pranoi se disa pyetje mund të kenë dalë mbi normalen, por jo jashtë programit.

“Është tjetër të gjë të thuash se ka dalje nga programi. Asnjë pyetje. Absolutisht. Asnjë nga mësuesit nuk e ka pranuar që kemi dalë jashtë programit. Nuk është artikuluar asnjë rast që të jetë dalë nga programi. Do verifikojmë për pyetjet që kanë pretendime dhe nëse vështirësia e kapërcen atë që parashikojmë dhe nëse ka më pak se 20% që nuk e kanë zgjedhur. Mund të ulim pragun”, u shpreh drejtorja e QSHA.