Situata në Gjermani mbetet alarmante, frikë se do të ketë qindra viktima (VIDEO)

Situata në Gjermani pas vërshimeve po përkeqësohet. Pas stuhisë së fundit, shpërtheu diga e lumit Rur në zonën Rajna Veriore-Vestfalia, duke i detyruar banorët lokalë të evakuohen në orët e hershme të mëngjesit. Rreth 700 banorë nga fshati Ofoven, në kufi me Holandën u desh të evakuohen shpejt pas shpërthimit së digës. Shumë banorë morën pjesë në përpjekjet për ta mbrojtur qytetin e vjetër, duke ndërtuar diga me thasë me rërë në rrugët e përmbytura, transmeton TV21.

“Situata këtu është shumë tragjike. Sapo nxorëm shumë njerëz nga shtëpia e pleqve, tashmë janë evakuuar. Nga mëngjesi i sotëm, gjegjësisht nga dje, kjo i ngjan një katastrofe. Nga sot situata është duke u përkeqësuar. Po, me të vërtetë nuk e di si do të përfundojë e gjithë kjo”, tha Agneta Asman – banore e Ofovenit.

“Po, banorët e Ofovenit i dhanë mbështetje komunitetit gjatë gjithë ditës, me ushqim, por vendosën edhe shumë thasë me rërë në stacionin për mbushje me rërë. Mbështetja e të gjithë fshatit ishte tejet e madhe”, deklaroi Kristijan Llamberc – shef i shërbimit zjarrfikës.

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut në Gjermani, Belgjikë dhe Holandë i shndërroi përrenjtë e vegjël në lumenj të cilët merrnin gjithçka para vetes. Janë shkatërruar shumë shtëpi dhe prona, kurse mijëra persona janë zhdukur ose janë evakuuar. Sipas informacioneve më të reja, vetëm në Gjermani kanë vdekur mbi 130 njerëz. Numri i përgjithshëm i viktimave në Evropë, duke përfshirë edhe Gjermaninë është mbi 160. Autoritetet e këtyre vendeve kanë frikë se numri do të vazhdojë të rritet, duke pasur parasysh se shumë njerëz janë zhdukur. Policia në shtetin federal të Gjermanisë Perëndimore – Pfalc, kumtoi se atje ka qindra të zhdukur, kurse numri i viktimave mund të arrijë deri në 600. Fatkeqësisht, situata nuk duket më e mirë as në shtetin fqinj, Rajna Veriore-Vestfalia.

Bashkimi Evropian tashmë ka aktivizuar mekanizmin për mbështetje dhe ndihmë, kurse kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lajen tha se këto ngjarje janë edhe një tregues për ndryshimet klimatike dhe paralajmërim se duhet të ndërmerren masa më urgjente

“Këto janë ngjarje të tmerrshme, ngjarje me vërshimet që i shohim në Gjermani, Holandë, Belgjikë, Luksemburg. Para së gjithash, mendjet tona janë te viktimat, familjet e tyre dhe të afërmit e tyre. Komisioni tashmë i aktivizoi mekanizmat për mbështetje dhe ndihmë për këto vende-anëtare, në këtë skenar kaq të vështirë dhe katastrofal. Shkenca po na tregon se me ndryshimet klimatike, gjithnjë e më shumë shohim fenomene ekstreme të motit të cilat zgjasin shumë kohë”, theksoi Usula Fon Der Lajen – kryetare e KE-së./TV21

Përveç Gjermanisë Perëndimore dhe Belgjikës, nga vërshimet që erdhën si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm, është prekur edhe pjesa jugore e Holandës, pjesa verilindore e Francës, Luksemburgu dhe Zvicra. Në shumë vende lumenjtë dolën nga shtrati.


Shtuar 17.07.2021 19:36

Tags: