Kancelari Olaf Scholz bëri thirrje për një “Plan Marshall” për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta.
Në deklaratën e tij qeveritare në Bundestag Olaf Scholz tha se gjatë vizitës së tij në Ukrainë javën e kaluar, disa gjëra i kujtuan pamjet e qyteteve gjermane pas Luftës së Dytë Botërore. “Sikurse Evropa e shkatërruar nga lufta atëherë, sot Ukraina ka nevojë për një Plan Marshall për rindërtimin.”
Ndërmjet viteve 1948 dhe 1952 SHBA-ja e ndihmoi Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane me Planin e tyre Marshall që të rimëkëmbeshin sërish pas gjashtë vjetësh luftë. Shumë miliarda dollarë amerikanë u investuan në rindërtimin e vendit. Në fjalimin e tij lidhur me takimet e nivelit të lartë të BE-së, të G7 dhe të NATO-s në tetë ditët e ardhshme, Scholz-i i premtoi Ukrainës dërgesa të mëtejshme armësh.
Internationale Luft- und Raumfahrtausstellung ILA
Nga samiti i NATO-s në Madrid Scholz pret të dërgohet një sinjal vendosmërie lidhur me agresionin rus kundër Ukrainës.
“Me Rusinë agresive, imperialiste të Putinit është i paimagjinueshëm për të ardhmen një partneritet me Rusinë, siç parashikohet në Konceptin Strategjik të vitit 2010”, tha kancelari në deklaratën e tij qeveritare.
Scholz dëshiron t’i kujtojë Putinit marrëveshjen themeltare NATO-Rusi
Në të njëjtën kohë kancelari paralajmëroi që të mos nxirren përfundime të gabuara.
“Nuk do të ishte e mençur që ne ta anulojmë marrëveshjen themeltare NATO-Rusi,” tha ai. Kjo do të ishte vetëm në dobi të presidentit rus Vladimir Putin dhe propagandës së tij. Marrëveshja themeltare ripohon vetë parimet që Putini po i shkel në mënyrë kaq flagrante: heqjen dorë nga dhuna, respektimin e kufijve, sovranitetin e shteteve të pavarura. Putinit duhet t’ia kujtojmë këto parime vazhdimisht.
Në marrëveshjen themeltare NATO-Rusi të vitit 1997, NATO kishte rënë dakord të mos vendoste “trupa të përhershme luftarake” në zonën lindore të aleancës.
Rritja e planifikuar afatgjatë e pranisë së NATO-s në krahun lindor mund t’i rrisë më tej tensionet me Rusinë. Në samitin e NATO-s nga 28 deri më 30 qershor në Madrid partnerët e NATO-s duan të diskutojnë ndër të tjera një koncept të ri strategjik./DW