Rusia sot dëboi 15 holandezë dhe një numër të pacaktuar diplomatësh belgë, duke i shpallur ata “persona non grata”.
Ministria ruse e Punëve të Jashtme kumtoi se bëhet fjalë për 14 punonjës në ambasadën holandeze në Moskë dhe një në konsullatën holandeze në Shën Petersburg.
Diplomatët kanë dy ditë kohë për t’u larguar nga Rusia.
“Ky hap u ndërmor si përgjigje ndaj dëbimit më 29 mars të 18 anëtarëve të punonjësve nga Ambasada Ruse në Hagë, Misioni Tregtar rus në Amsterdam dhe misioni rus në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW)”, kumtoi ministria.
Në kumtesë shtohet se Holanda nuk mund të abuzojë me të drejtat dhe privilegjet e saj si vend pritës i OPCW-së dhe se Haga duhet t’i përmbahet rreptësisht Marrëveshjes së Selisë së OPCW-së të vitit 1997.
Në kumtesë të veçantë, ministria kumtoi se e ka ftuar ambasadorin belg Mark Mikilsen dhe e informoi atë për dëbimin e diplomatëve belgë nga Moska, të cilët duhet të largohen deri më 4 maj.
Holanda dhe Belgjika dëbuan diplomatët rusë për spiunazh të dyshuar pasi marrëdhëniet midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian u përkeqësuan më tej për shkak të luftës ruse kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt./albeu.com