Rritja e rasteve me Covid-19 në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë: Vaksinohuni!

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, këto dy javë rastet me Covid-19 janë rritur. Për këtë arsye, Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve të saj të vaksionhen, ndërsa për ata që kanë marrë dy doza, të rivaksiohen për të rindërtuar imunitetin.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës:

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë dy javëve të fundit, është shënuar rritje e rasteve të COVID-19, që ka ndikuar rrjedhimisht  edhe në rritjen e rasteve aktive.

Me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes nga infeksioni, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që nuk kanë marrë ende asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19, që të vaksinohen, ndërsa qytetarët që i kanë marrë një apo dy doza të vaksinës, ta marrin dozën e dytë, respektivisht dozën e tretë të vaksinës.

Imuniteti i fituar përmes vaksinimit, me kalimin e kohës vjen duke rënë, prandaj vaksinimi me dozën e radhës (doza e dytë apo e tretë) ndihmon në rindërtimin e imunitetit.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë janë shënuar 43 raste të reja me Covid-19 dhe asnjë vdekje. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se sot janë shëruar 8 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 225.312. Në total numri i rasteve aktive është 154./albeu.com

Shtuar 22.06.2022 15:18