Qëndrimi i deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Serbisë dhe pritshmëritë nga shumica e re parlamentare

Përfaqësuesit shqiptarë në parlamentin serb shprehën gatishmëri për dialog dhe bashkëpunim me shumicën e sapoformuar parlamentare, por theksuan se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Serbisë, deputeti Shaip Kamberi theksoi se përfaqësimi institucional, çështja e pasivizimit të adresave, njohja e diplomave dhe arsimi në gjuhën shqipe mbeten probleme të hapura që kërkojnë zgjidhje.

Të lidhura

None found

“Do ta mbështesim çdo nismë dhe jemi të gatshëm për partneritet në zgjidhjen e këtyre çështjeve, por nuk do të heqim dorë nga parimet dhe kërkesat tona. Vetë e drejta për barazi nuk është e negociueshme”, deklaroi Kamberi.

Analistët politikë Nehat Hyseni dhe Refik Hasani vlerësuan se deputetët shqiptarë duhet t’i përgjigjen pozitivisht ofertës për dialog me shumicën e re në Serbi, por pa kompromentuar kërkesat që lidhen me të drejtat e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.

Image

Sipas tyre, ndryshimi i konfiguracionit parlamentar hap një dritare mundësie për trajtimin e problemeve të vjetra, megjithatë premtimet e Listës Studentore duhet të konfirmohen me veprime të prekshme.

Bashkëpunimi me pakicat dhe kërkesat ndaj pushtetit të ri

Analisti politik Refik Hasani kërkoi që deputetët shqiptarë jo vetëm të bashkëpunojnë me shumicën e re parlamentare, por edhe me përfaqësuesit e pakicave të tjera kombëtare, përfshirë hungarezët, boshnjakët dhe bullgarët.

Në prononcimin e tij për “Bota sot”, Hasani theksoi se pakicat duhet të përfitojnë nga rrethanat e reja politike për të siguruar përfaqësim më të gjerë në institucionet qendrore dhe poste të rëndësishme shtetërore.

“Sa i përket gatishmërisë së deputetëve shqiptarë për dialog dhe bashkëpunim me autoritetet e reja në Serbi, është me rëndësi që ata t’u përgjigjen ofertave nga Lista Studentore në Serbi. Andaj, jo vetëm deputetët shqiptarë, por të gjithë deputetët që u përkasin nacionaliteteve etnike dhe autoktone, si hungarezët, shqiptarët, boshnjakët dhe bullgarët, duhet të bashkëpunojnë”, deklaroi Hasani.

Ai përmendi mundësinë që përfaqësuesit e pakicave të kërkojnë pozicione drejtuese në Kuvend, Qeveri dhe institucione të pavarura, si dhe përfaqësim proporcional në polici, ushtri, shërbimin informativ, prokurori, gjyqësor dhe në përfaqësitë diplomatike.

Lidhur me premtimet e Listës Studentore për të drejtat e pakicave, Hasani u shpreh se është ende herët për të vlerësuar nëse ato do të sjellin përmirësim real në pozitën e shqiptarëve.

“Sa i përket Listës Studentore në Serbi, nuk jam në dijeni saktësisht se çfarë ka premtuar në tubimet e tyre, gjatë protestave dhe më pas gjatë fushatës, edhe pse ka publikuar një program qeverisës. Megjithatë, ende është herët të nxirret një konstatim i saktë se sa mund të shpresojnë shqiptarët për një ndryshim pozitiv, për një ndërrim të narrativës dhe diskursit të ndjekur deri më tani. Duhet të presim dhe të shohim se si do të veprojnë institucionet e reja dhe nëse zotimet e tyre do të shndërrohen në hapa konkretë për përmirësimin e pozitës së pakicave kombëtare”, tha ai.

Hasani kërkoi gjithashtu që dy deputetët shqiptarë të koordinojnë veprimet e tyre, si ndërmjet tyre ashtu edhe me kryetarët e komunave, kryesuesit e kuvendeve komunale dhe subjektet e tjera politike shqiptare. Sipas tij, ndër prioritetet duhet të jetë krijimi i një komisioni parlamentar që do të hetonte rastet e pasivizimit të adresave dhe do të mundësonte rikthimin e adresave për qytetarët e prekur.

“Pra, shqiptarët duhet të jenë unikë dhe të parashtrojnë me shkrim kërkesën për krijimin dhe formimin e një komisioni parlamentar për hetimin e të gjithë personave të pasivizuar dhe rikthimin e adresave të të gjithë qytetarëve shqiptarë të prekur, pa dallim, jo vetëm në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, por në gjithë Serbinë”, deklaroi Hasani.

Ai kërkoi po ashtu që përmes pyetjeve parlamentare dhe interpelancave të sigurohen të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve të pasivizuar dhe të kërkohet përgjegjësi për zyrtarët që, sipas tij, zbatojnë praktika diskriminuese.

Përveç kësaj, Hasani renditi edhe kërkesa të tjera, përfshirë përfaqësimin proporcional në institucionet lokale dhe qendrore, zbatimin e Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, respektimin e Marrëveshjes së Konçulit të 20 majit 2001 dhe kthimin e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, i cili u hoq më 20 janar 2013.

Ndër të tjera, ai kërkoi hapjen e vendkalimeve kufitare në Dobrosin, Breznicë, Miratocë, Muhoc dhe te Kapia, themelimin e një instituti për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, hapjen e një fakulteti në gjuhën shqipe, si dhe mundësinë e krijimit të një universiteti publik.

Hasani ngriti edhe shqetësime për sigurinë në tri komunat, duke kërkuar rishikimin e pranisë së forcave serbe në vendbanimet shqiptare dhe respektimin e amnistisë për ish-pjesëtarët e UÇPMB-së. Ai kërkoi gjithashtu funksionimin e policisë multietnike në përputhje me strukturën etnike të popullsisë dhe ndalimin e thirrjeve e mbishkrimeve të urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Image

Në fund, Hasani theksoi se deputetët shqiptarë duhet të jenë zëri i qytetarëve që i kanë votuar dhe të mos mjaftohen vetëm me deklarata publike.

“Deputetët shqiptarë do të përballen me sfida nga më të ndryshmet, por kërkohet që të jenë zëri i popullit dhe që kërkesat e tyre të mos mbeten vetëm në nivel deklarativ. Deputetët shqiptarë, së bashku me gjithë deputetët që u përkasin nacionaliteteve etnike dhe autoktone, si hungarezët, boshnjakët dhe bullgarët, duhet të bashkëpunojnë ngushtë, duke iniciuar debate dhe duke parashtruar kërkesa të përbashkëta. Po ashtu, duhet të insistojnë edhe për ndryshime kushtetuese dhe ligjore lidhur me vendet e rezervuara në Kuvend për nacionalitetet etnike dhe autoktone, si dhe për çështje të tjera që ndërlidhen me interesat e tyre të përbashkëta. Ky bashkëpunim duhet të vazhdojë gjatë gjithë kësaj legjislature të Parlamentit të Serbisë”, përfundoi Hasani.

Dialog me pushtetin e ri, por pa hequr dorë nga kërkesat e shqiptarëve

Ndërkaq, analisti politik nga Presheva, Nehat Hyseni, u shpreh se dialogu me institucionet e reja duhet të bazohet në parimin e barazisë dhe respektimit të të drejtave të shqiptarëve, duke kujtuar se premtimet e mëparshme të pushteteve në Beograd nuk janë përkthyer gjithmonë në zgjidhje konkrete të problemeve të tyre.

“Unë konsideroj se deputetët shqiptarë duhet të jenë të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim me institucionet e reja të Serbisë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike. Megjithatë, ky dialog duhet të zhvillohet mbi bazën e barazisë, reciprocitetit demokratik dhe respektimit të të drejtave kushtetuese e ligjore të shqiptarëve. Ndryshimi i shumicës parlamentare në Serbi, pas zgjedhjeve të 25 tetorit 2026, përbën një zhvillim të rëndësishëm politik. Kjo krijon një konfiguracion të ri institucional, por nuk do të thotë automatikisht se do të ndryshojë edhe politika shtetërore ndaj shqiptarëve. Prandaj, qëndrimi im është: dialog po, bashkëpunim po, por jo në këmbim të heshtjes politike dhe heqjes dorë nga kërkesat legjitime kombëtare e qytetare”, deklaroi Hyseni.

Duke folur për pritjet nga shumica e re parlamentare, Hyseni tha se premtimet e Listës Studentore për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe reformimin e institucioneve mund të kenë ndikim edhe në mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Megjithatë, ai theksoi se duhet bërë dallim midis zotimeve të përgjithshme dhe angazhimit konkret për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve.

“Shqiptarët kanë arsye të jenë të vëmendshëm dhe të kenë pritshmëri nga ndryshimet politike në Serbi, por nuk duhet të mbështeten vetëm në deklaratat e përgjithshme për demokraci, sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave të pakicave kombëtare. Megjithatë, ekziston një dallim ndërmjet premtimeve për demokratizimin e përgjithshëm të shtetit dhe një politike konkrete për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Për mua, testi i parë i seriozitetit të Listës Studentore do të jetë mënyra se si ajo do të trajtojë çështjet që kanë qenë objekt i diskriminimit dhe i ankesave të vazhdueshme të shqiptarëve”, u shpreh ai.

Ndër çështjet kryesore që duhet të trajtohen, Hyseni veçoi pasivizimin e adresave, përfaqësimin proporcional në institucionet shtetërore, arsimin në gjuhën shqipe dhe njohjen e diplomave të marra në Kosovë.

Ai vlerësoi se pasivizimi i adresave cenon drejtpërdrejt sigurinë juridike të qytetarëve, ndërsa përfaqësimi institucional duhet të garantohet si e drejtë dhe jo të varet nga vullneti i pushtetit.

“Çështja e pasivizimit të adresave është një nga problemet më serioze, sepse prek drejtpërdrejt ekzistencën juridike dhe sigurinë qytetare të mijëra shqiptarëve. Pasivizimi mund t’i privojë qytetarët nga dokumentet personale, ushtrimi i të drejtave dhe qasja në shërbimet publike. Kjo çështje kërkon rishqyrtim të praktikave administrative, transparencë, mekanizma efektivë ankimi dhe rikthimin e adresave të qytetarëve të prekur, kur nuk ekzistojnë baza ligjore për pasivizimin e tyre. Përfaqësimi institucional duhet të trajtohet si çështje e barazisë dhe jo si çështje e vullnetit të mirë të pushtetit. Shqiptarët duhet të kenë përfaqësim proporcional dhe efektiv në institucionet shtetërore, veçanërisht në polici, gjyqësor, prokurori, administratë publike dhe institucionet e tjera me rëndësi për jetën e qytetarëve”, theksoi Hyseni.

Ai nënvizoi edhe rëndësinë e arsimit në gjuhën shqipe, duke kërkuar tekste shkollore cilësore, kushte më të mira të mësimit dhe mundësi për studime universitare në këtë gjuhë. Për sa i përket njohjes së diplomave të Kosovës, ai tha se të rinjtë shqiptarë nuk duhet të penalizohen për shkak të vendit ku kanë përfunduar studimet.

“Së treti, arsimi në gjuhën shqipe duhet të trajtohet si një e drejtë themelore dhe si investim në të ardhmen e komunitetit. Kërkohet sigurimi i teksteve shkollore cilësore, përmirësimi i kushteve të mësimit, avancimi i kuadrove arsimore dhe krijimi i mundësive për studime universitare në gjuhën shqipe. Së katërti, njohja e diplomave të fituara në Kosovë është një çështje me rëndësi të veçantë. Të rinjtë shqiptarë nuk duhet të penalizohen për shkak të vendit ku kanë studiuar. Njohja e diplomave duhet të bëhet përmes procedurave transparente, të shpejta dhe të bazuara në kritere akademike e profesionale”, deklaroi ai.

Lidhur me përfaqësimin me dy deputetë në Kuvendin e Serbisë, Hyseni tha se ky numër nuk u mundëson shqiptarëve të ndikojnë të vetëm në vendimmarrje, por krijon hapësirë për artikulimin institucional të kërkesave të tyre.

Ai veçoi paraqitjen e deputetit Shaip Kamberi më 18 nëntor, duke e vlerësuar ofertën e tij për dialog dhe partneritet politik, pa hequr dorë nga kërkesat e shqiptarëve.

“Fakti që Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë është një mundësi e rëndësishme për artikulimin institucional të interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Deputetët shqiptarë nuk mund ta përcaktojnë të vetëm shumicën parlamentare, por kanë mundësi të ndikojnë në debatet parlamentare, të parashtrojnë amendamente, të kërkojnë seanca dhe debate për çështjet e Luginës dhe të ndërtojnë bashkëpunim me deputetët që mbështesin demokracinë dhe të drejtat e pakicave. Në këtë kontekst, do të veçoja edhe paraqitjen e deputetit Shaip Kamberi më 18 nëntor, i cili, sipas qëndrimit të artikuluar në Kuvend, ofroi dialog dhe partneritet politik, pa hequr dorë nga kërkesat legjitime të shqiptarëve”, tha Hyseni.

Ai propozoi hartimin e një platforme të përbashkët parlamentare për Luginën e Preshevës, si dhe krijimin e një mekanizmi të posaçëm për shqyrtimin e problemeve të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Sipas tij, deputetët duhet të shfrytëzojnë interpelancat, amendamentet, pyetjet parlamentare dhe iniciativat ligjore, duke bashkëpunuar edhe me deputetët e tjerë.


Shtuar më 22.11.2026 08:10

grandpashabet girişBursa Escortgrandpashabet girişcasibomgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabet güncel girişdeneme bonusucasinofast güncel girişstarzbetonline notarymarsbahishttps://centromedicoflorence.com/cookies-service/betkommarsbahisultrabetgrandpashabetTürk İfşajojobet girişjojobetcasibombahis siteleribahis siteleriGrandpashabet girişjojobetsahabetjojobetjojobet girişjojobetjokerbet