Rregullatori i barnave në BE: Vaksinat Pfizer mund të mbahen në frigorifer për një muaj

Vaksina Pfizer tani mund të ruhet në frigorifer për më gjatë, thotë rregullatori i BE i ilaçeve.

Rregullatori i barnave të Bashkimit Europian ka thënë se vaksina anti-Covid Pfizer tani mund të ruhet në temperaturën e frigoriferit për shumë më tepër sesa rekomandonte më parë.

Agjencia Europiane e Barnave (EMA) tha se sapo të shkrihen vaksinat, shishkat e pahapura mund të mbahen në frigorifer për deri në një muaj. Kufiri aktual është vetëm pesë ditë, informon albeu.com.

Fleksibiliteti i shtuar pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në shpërndarjen e vaksinave në të gjithë BE-në.

Kërkesat e mëparshme të ruajtjes për vaksinat Pfizer i kanë bërë ato më të vështira për t’u përdorur në disa pjesë të botës.

Në shkurt, Shtetet e Bashkuara miratuan ruajtjen dhe transportimin e vaksinës Pfizer në temperatura standarde të ngrirjes prej -15 deri në -25C për deri në dy javë, në krahasim me midis -80 në -60C që zakonisht kërkon./albeu.com


Shtuar 18.05.2021 08:27