Një 20-vjeçar me origjinë moldave ka humbur jetën pasi u godit nga një tren në lëvizje në zonën e Casteggio-s, në provincën e Pavias, Itali.
Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje, më 16 nëntor. I riu ishte larguar nga banesa për të blerë diçka në një lokal pranë shtëpisë, por nuk u kthye më te bashkëshortja, e cila është shtatzënë në muajin e shtatë.
Të lidhura
None found
Sipas mediave italiane, Ian Iavochi doli nga shtëpia rreth orës 18:00 për të blerë patatina, me synimin që të kthehej menjëherë.
Banesa e çiftit ndodhej pranë hekurudhës. Nga rindërtimi paraprak dyshohet se 20-vjeçari u përpoq të shkurtonte rrugën drejt shtëpisë duke kaluar shinat pranë një kalimi hekurudhor, në vend që të ndiqte itinerarin e zakonshëm.
Ai nuk e vuri re trenin që po afrohej dhe u përplas për vdekje. Ekipet mjekësore mbërritën shpejt në vendngjarje, por vetëm konstatuan vdekjen e tij.
Gazeta italiane “La Provincia Pavese” raportoi se bashkëshortja doli jashtë pasi dëgjoi automjetet e emergjencës. Kur mbërriti në vendin e aksidentit dhe kuptoi se viktima ishte i shoqi, ajo u ndie keq dhe i ra të fikët.
Karabinierët e Vogherës dhe Policia Hekurudhore kanë nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat dhe mënyrën si ndodhi aksidenti. Tragjedia ka lënë pas një familje të shkatërruar, ndërsa bashkëshortja e re përballet me humbjen e partnerit teksa pret fëmijën e tyre të parë.








