RENDITJA/ Shqiptarët të fundit në Europë dhe rajon për Fuqinë Blerëse, na kalon edhe Ukraina në luftë (FOTO LAJM)

Rritja e çmimeve ka goditur ndjeshëm shqiptarët. Çdo banor i Shqipërisë mund të blejë sot më pak mallra dhe shërbime me të njëjtën sasi parash krahasuar me të gjithë banorët e tjerë të rajonit si edhe të Bashkimit Europian.

Sipas Indeksit të Fuqisë Blerëse të publikuar sëfundmi, shqiptarët renditen në fund të të gjithë listës së rajonit me një diferencë të theksuar në raport me maqedonasit, serbët, grekët po e po, por edhe boshnjakët.

Madje, Fuqia Blerëse në Shqipëri është edhe më e ulët krahasuar me Ukrainën që është në luftë apo Bjellorusinë që është një shtet gjysmë diktatorial. Të vetmit shtet që Shqipëria lë pas janë ato të Afrikës dhe të Azisë Qendrore.

Më konkretisht, Shqipëria ka një indeks të Fuqisë Blerëse 27.84, ndërkohë që Maqedonia e Veriut është 35.02, Serbia 36.66, Bosnja është 52, kurse Greqia 38. Ukraina vërtitet në një indeks mes 36-39, kurse Bjellorusia 34.

Shteti me fuqinë blerëse më të madhe është Zvicra me një indeks 125.

Çfarë është fuqia blerëse?

Fuqia blerëse është vlera e një monedhe e shprehur në terma të numrit të mallrave ose shërbimeve që mund të blejë një sasi e caktuar parash. Fuqia blerëse mund të dobësohet me kalimin e kohës për shkak të inflacionit. Kjo për shkak se rritja e çmimeve zvogëlon efektivisht numrin e mallrave ose shërbimeve që mund të blihet. Fuqia blerëse njihet edhe si fuqia blerëse e një monedhe./abcnews.al