Autoriteti mbretëror i patundshmërive në Britaninë e madhe ka nisur hetime të brendshme për një pronë prej 67 milionë funtesh, e cila del të jetë blerë nga familja multimilionëshe Aliyev në pushtet në Azerbajxhan, e akuzuar vazhdimisht për korrupsion.
Hollësi të kësaj blerjeje janë publikuar si pjesë e hetimit “Pandora Papers”, ku tregohet se si një rrjet i kompanive “offshore”, të lidhura me familjen dhe figurat e afërta me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kanë bërë tregti në vlerën e gati 400 milionë funteve me prona britanike në 15 vitet e fundit.
Në mesin e blerjeve të pronave përfshihet një ndërtesë me vlerë prej 33.5 milionë funtesh më 2009 nga një kompani “offshore”, e cila ishte në pronësi të djalit të presidentit Aliyev, Heydar-it, i cili në atë kohë ishte vetëm 11-vjeç, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Një zëdhënës i organit mbretëror për patundshmëri tha: “Para blerjes, ne kemi kryer kontrollime, përfshirë ato që kërkohen me ligjet e Mbretërisë së Bashkuar. Në atë kohë, ne nuk kemi gjetur ndonjë arsye për të mos e vazhduar transaksionin. Duke i marrë parasysh shqetësimet e mundshme që janë ngritur, po e analizojmë këtë çështje.”
Aliyev është në pushtet në Azerbajxhan që nga koha kur e zëvendësoi në postin e presidentit babain e tij më 2003. Vendi që ai e udhëheq është akuzuar shpesh për abuzim të të drejtave të njeriut, manipulime në zgjedhje dhe korrupsion sistematik.
Në vitin 2015, një rezolutë e Parlamentit Evropian bënte thirrje që “autoritetet e BE-së të kryejnë një hetim të plotë rreth dyshimeve për korrupsion kundër Presidentit Aliyev dhe anëtarëve të familjes së tij”, pas një vargu artikujsh nga gazetarët hulumtues azerë, të cilët e akuzonin zonjën e parë, Mehriban Aliyeva, se ka përfituar personalisht nga kontratat shtetërore dhe marrëveshjet biznesore.