Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka ndarë detaje të reja lidhur me urën që do të lidhë Ulqinin me Velipojën.
Sipas Abazoviç, ura do të lidhë 34 kilometra plazhë ranore, të cilat vizitohen nga rreth 530 mijë turistë në vit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shton se gjatësia totale e urës do të jetë 310 metra ndërsa hapësira ndërmjet dy shtyllave mbajtëse do të jetë 139 metra.
Ura, e cila do të jetë 17 metra e gjerë, do të ketë dy korsi trafiku nga 3,75 metra, dy trotuare me gjerësi prej dy metrave dhe dy shtigje për biçikleta me gjerësi nga 1,25 metra, shkroi Abazoviq në Twitter.
Theksojmë se distanca aktuale ndërmjet Ulqinit dhe Velipojës është 73 kilometra, ndërsa me ndërtimin e urës do të reduktohet në vetëm 1 kilometër.
“Afati i planifikuar për përfundimin e punimeve është gushti i vitit 2024. Ne lidhim njerëzit! Ne po forcojmë ekonominë! Ne po ndërtojmë Malin e Zi”, tha Abazoviç.