Moti i keq, ndalohet lundrimi i anijeve peshkuese në Vlorë

Për shkak të motit të keq, Porti i Vlorës ka njoftuar pezullimin e lundrimit të mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit.

“Në  bazë  të  parashikimit  për  situatën  hidrometeorologjike  të  përkeqësuar  në  gjirin  e  Vlorës  dhe  jashtë saj  për  datën 06.12.2021  do të jetë  në  drejtimin JUG-JUGPERENDIM në  forcën  4-5bft 08-10m/s brenda  gjirit  të  Vlorës  dhe  jashtë  gjirit  të  Vlorës  në  forcën  6-7bft 10-17m/s me lartësi dallge  nga  1.50  deri  2.50  metra.

Përmirësimi  i  situatës meteorologjike  të  përkeqësuar  në  gjirin e  Vlorës  dhe  jashtë  saj  për  mjetet  e  vogla lundruese  dhe  të peshkimit  do të  jetë në datën  06.12.2021/16:00”, thuhet në njoftim, ndërsa Bashkia e Vlorës ka bërë apel të shmangen lëvizjet e panevojshme, sepse disa rruga janë përmbytur nga shirat.

“Parashikimet e meteorologëve paralajmërojnë mot të keq prej pasdites së sotme 5 Dhjetor deri më 7 Dhjetor! Reshjet e shiut do të intensifikohen prej orës 18.00 e në vazhdim të shoqëruara dhe me stuhi te forta, për këtë arsye do t’ju luteshim të shmangni lëvizjet e panevojshme me automjete në akset problematike si dhe parkimin e automjeteve në to. Paralajmërimet e meteorologëve për furtuna kërkojnë të jemi të kujdesshëm! Për çdo nevojë urgjente kontaktoni me Shërbimet Publike të Bashkisë dhe Ujësjellës Kanalizime, ose në faqen tonë  zyrtare në “Facebook”.Kujdesuni për veten dhe familjet tuaja”, thuhet në njoftimin e Bashkisë./albeu.com


Shtuar 6.12.2021 09:42