Mishi i prodhuar në laborator! A do të jetë kjo e ardhmja e ushqimit?

Popullsia e botës po rritet, dhe bashkë me të, kërkesa globale për mish pule dhe prodhime deti. Në këto kushte disa kompani po shpresojnë të ofrojnë prodhime me bazë mishi të rritur në laborator me të njëjtën shije dhe cilësi si mishi i kafshëve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh njofton.

Në pamje të parë ky salmon duket sikur është kapur në det, ose rritur në një rezervuar.

Në të vërtetë, ai është krijuar nga një grumbull qelizash salmoni dhe kultivuar në një laborator të kompanisë Wildtype në Kaliforni.

“Kemi zbuluar një mënyrë për të përftuar qeliza salmoni, dhe e kombinojmë atë me një bazë bimore që ndihmon për t’i dhënë qelizave strukturën e duhur për disa nga mënyrat e njohura sesi gatuhet dhe serviret”, thotë Justin Kolbeck, bashkëthemelues i kompanisë Wildtype.

Synimi është që të plotësohen mungesat në furnizimet me salmon që janë në rënie të shpejtë, mes kërkesës në rritje.

“Pra, ideja jonë ishte që të ofronim një alternativë tjetër për të lehtësuar trysninë ndaj peshkimit ose mbështetjes tek peshqit e rezervuarëve”, thotë zoti Kolbeck.

Ndërkohë, kompania Upside Foods po bën prova për shijen e mishit të pulës të kultivuar nga qelizat e pulës.

Ato duken dhe me sa duket shijojnë, ashtu siç duhet të shijojë pula.

“Është mish i vërtetë, prodhuar drejtpërdrejt nga qelizat e kafshëve, kështu që nuk ke nevojë të rrisësh apo të vrasësh kafshë, por ndërkohë mund të vazhdosh të shijosh mishin e preferuar”, thotë Amy Chen, shefe operative e kompanisë Upside Foods.

Me rritjen e popullsisë së planetit, rritja e kërkesës për mish dhe ushqim deti po ndikon gjithashtu tek mjedisi.

“Ndikimi i përgjithshëm i gazit serrë, konsumimi i tokës dhe ujit, për të mos folur për miliarda kafshë që theren çdo vit për nevojat tona për mish. Kështu që ne jemi të entuziasmuar që mishi i kultivuar ofron një alternativë më të mirë për njerëzit, që u jep atyre mishin që duan pa pasoja”, thotë zonja Chen.

Përveç ushqimeve të rritura në laborator, disa kompani po krijojnë alternativa me bazë bimore për ushqime tradicionale si vezë, dhe proshutë.

“MyBacon është një alternative e shijshme për proshutën e derrit, e cila imiton strukturën dhe shijen që merr nga proshuta, por përdor rrënjë 100% të pastër kërpudhash për ta bërë këtë”, thotë për Zërin e Amerikës, Eben Bayer, shef ekzekutiv dhe bashkëthemelues i kompanisë MyForest Foods.

Ricardo San Martin, i cili drejton laboratorin e Mishrave Alternativë në universitetin UC Berkeley, thotë se hyrja masive e prodhimeve me bazë qelizash në treg mund të mos jetë një synim realist së shpejti.

“Prodhimi masiv i qelizave për të prodhuar mish, mund të mos jetë i realizueshëm. Na duhet të dimë se sa e përballueshme do të jetë kjo. A do të jetë kjo një zgjidhje për të gjithë apo vetëm për elitën?”

Kompanitë alternative të mishit e pranojnë se koncepti i tyre është ende në fazat e para.

“Të paraqesim prodhimin e parë të shkëlqyeshëm të këtij lloji, që të mund të tregojë se çfarë është e mundur me këtë teknologji dhe më pas, të gjejmë çdo mënyrë të mundshme për ta zgjeruar dhe për ta bërë atë sa më të përballueshëm”, thotë zoti Kolbeck.

“Është absolutisht një proces në zhvillim e sipër. Do të duhen vite që ne të zhvillojmë realisht infrastrukturën për të siguruar sa më shumë mish që do të duan njerëzit”, thotë zonja Chen.

Është një proces që po ecën ngadalë, por që një ditë mund të ndryshojë mënyrën se si ushqehet bota./VOA