Petrit Malaj, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, u shpreh se edhe Kosova ishte pjesëmarrëse në aktin historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, çka sipas tij dëshmon lidhjen e përbashkët në aspiratën për liri dhe shtetësi.
Gjatë ceremonisë së organizuar në Prishtinë për shënimin e 28 Nëntorit, Malaj theksoi se flamuri kombëtar, më shumë se një shekull pas ngritjes së tij, kujton jo vetëm prejardhjen, por edhe përgjegjësinë ndaj brezave që do të vijnë.
Të lidhura
None found
“114 vjet më parë, në Vlorë, Ismail Qemali dhe burrat e Rilindjes Kombëtare ngritën flamurin kuqezi, duke i dhënë jetë një aspirate shekullore. Në atë akt historik ishte e pranishme edhe Kosova, si dëshmi e gjallë se ideali i lirisë dhe i shtetësisë shqiptare nuk njihte kufij krahinorë. Sot, më shumë se një shekull më vonë, ky flamur na kujton jo vetëm nga vijmë, por mbi të gjitha çfarë përgjegjësie kemi përpara brezave që vijnë,” u shpreh Malaj.
Ai nënvizoi se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës burojnë nga historia, gjuha dhe trashëgimia e përbashkët, ndërsa rëndësia e tyre, sipas tij, qëndron në shndërrimin e kësaj lidhjeje në bashkëpunim konkret dhe zhvillim.
Malaj përsëriti se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në forcimin e shtetësisë, të subjektivitetit ndërkombëtar dhe në rrugën drejt integrimit euroatlantik.
“Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në konsolidimin e shtetësisë, në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe në aspiratën për integrim të plotë në institucionet euroatlantike. Kjo mbështetje për ne nuk është thjesht një qëndrim politik, por një bindje strategjike e bazuar në interesin e përbashkët kombëtar, për një Kosovë të fortë, demokratike, të sigurt dhe të integruar ndërkombëtarisht,” tha ai.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë shprehu mirënjohje për përvojën e fituar gjatë misionit diplomatik në Kosovë, duke theksuar se përtej angazhimit institucional, nga Prishtina largohet me miqësi, respekt dhe kujtime të çmuara.
Malaj tha se gjatë qëndrimit në Kosovë është ndier gjithmonë i mirëpritur dhe falënderoi krerët e institucioneve, kolegët, trupin diplomatik, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për mbështetjen e dhënë.
“Kur erdha në Prishtinë, erdha me përgjegjësinë dhe privilegjin për të përfaqësuar Republikën e Shqipërisë. Sot, pas këtij misioni, largohem me shumë më tepër sesa përvoja e një ambasadori. Largohem me miqësi të sinqerta, me respekt të ndërsjellë, me kujtime që do të mbeten të gjalla në mendjen dhe zemrën time dhe mbi të gjitha me ndjenjën se në Kosovë kam qenë gjithmonë i mirëpritur,” deklaroi Malaj.
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, u shpreh se flamuri kuqezi përfaqëson jo vetëm shtetin shqiptar, por edhe gjithë kombin shqiptar, duke simbolizuar historinë, sakrificën dhe përpjekjet ndër breza për liri.
Në ceremoninë e shënimit të 28 Nëntorit, ajo tha se shqiptarët, edhe në periudhat më të vështira historike, nuk hoqën dorë nga gjuha, identiteti dhe e drejta për të jetuar të lirë e të pavarur.
“Ajo është simbol i shtetit shqiptar, por edhe i gjithë kombit tonë, kudo që jetojnë shqiptarët. Ajo na kujton historinë tonë, përpjekjet e brezave, sakrificat dhe luftën për liri. Na kujton se edhe në kohët më të vështira, shqiptarët nuk hoqën dorë nga gjuha, identiteti dhe e drejta për të jetuar të lirë e të pavarur,” u shpreh ajo.
Presidentja Pula kujtoi edhe kontributin e patriotëve nga të gjitha trevat shqiptare në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, duke përmendur Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe të tjerë që u bashkuan rreth idealit të Shqipërisë së lirë.
Ajo theksoi se 28 Nëntori për Kosovën është festë e katërfishtë, duke përfshirë Ditën e Flamurit, Pavarësinë e Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke folur për UÇK-në dhe ish-krerët e saj që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, presidentja theksoi se lufta e saj ishte e drejtë dhe për liri.
“Kur krerët e saj po përballen me drejtësinë në Hagë, ne nuk heqim dorë nga e vërteta historike. Asnjë proces gjyqësor nuk mund të zbehë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua ajo,” deklaroi presidentja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, por jo e shkëputur nga kombi shqiptar, ndërsa marrëdhëniet me Shqipërinë i cilësoi si vëllazërore dhe strategjike.
Kurti përkujtoi gjenocidin e viteve 1998-1999 në Kosovë, luftën çlirimtare dhe shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Ai tha se Kosova synon të zhvillohet krahas demokracive përparimtare dhe të bëhet pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Sipas tij, Republika e Kosovës është më vete, por jo e shkëputur nga kombi shqiptar, prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i ka konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për mbarë kombin, por edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore.
Kreu i Qeverisë njoftoi se ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar, zbatuar ose ndodhen në proces zbatimi gjithsej 190 marrëveshje, të cilat mbulojnë fusha të ndryshme me rëndësi për qytetarët e të dyja vendeve.
“Janë nënshkruar, zbatuar apo po zbatohen 190 marrëveshje gjithsej ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ato përfshijnë fusha të rëndësishme për jetën e qytetarëve tanë: arsimin, ekonominë, energjinë, infrastrukturën, bujqësinë, shëndetësinë, sigurinë, kulturën, diasporën dhe shumë fusha të tjera,” deklaroi Kurti.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët perëndimorë, duke veçuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Turqinë, Japoninë dhe Zvicrën.








