Kishin kthyer lokalin në ambient për lojëra fati, procedohen dy pronarët në Vlorë

Policia ka proceduar penalisht dy pronarë të një lokali në Vlorë pasi kanë ushtruar aktivitet të kundraligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Gjithashtu u janë sekuestruar 20 pajisje elektronike.

Njoftimi i policisë:

Vlorë

Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar dhe goditur dy raste të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.

Sekuestrohen 20 pajisje elektronike, procedohet penalisht dy pronarët e lokaleve.

Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë është bërë i mundur evidentimi dhe goditja e dy rasteve të ushtrimit të aktivitetit të  kundërligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Vlorës. Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan 10 pajisje elektronike në gjendje pune në lokalin e shtetasit E. SH, në lagjen “24 Maji” dhe 10 pajisje elektronike në gjendje pune në lokalin e shtetasit A. A, në lagjen “1 Maji”, ku dyshohej se ushtrohej aktivitet i kundërligjshëm i lojërave të fatit.

Në përfundim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. Sh., 23 vjeç dhe A. A., 30 vjeç, të dy banues në Vlorë, për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./albeu.com

Shtuar 16.06.2021 11:27