Forcat ruse kanë vazhduar të bombardojnë rajonin lindor të Donbasit, teksa zyrtarët ukrainas kanë thënë se e gjithë situata në front të luftës është “jashtëzakonisht e vështirë”, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Moska është “shumë nervoze” për vendimin që do të marrë Këshilli Evropian rreth garantimit ose jo të statusit të shtetit kandidat për Ukrainën.
Forcat ukrainase kanë vazhduar të mbrojnë Lisiçanskun dhe Severodonjeckun, ku janë duke u zhvilluar luftimet më të ashpra, kanë thënë guvernatori ushtarak i Luhanskut, Serhiy Hayday.
Hayday ka thënë në televizionin kombëtar se forcat ushtarake ruse kontrollojnë pjesën më të madhe të Severodonjeckut, mirëpo jo edhe fabrikën e lëndëve kimike Azot, ku janë duke u strehuar qindra civilë tash e sa javë.
Ai ka thënë se rruga që lidh Severodonjeckun dhe Lisiçanskun me qytetin Bahmut, është nën bombardime të vazhdueshme.
“Lisiçansku është përballur me bombardime masive ruse gjithë ditën. Është e pamundshme të kuptojmë numrin e viktimave”, ka thënë ai, duke shtuar se bombardimet mund të kenë qenë më të ashpra në këtë qytet ndonjëherë.
Megjithatë, ushtria ruse nuk ka arritur të rrethojë gjithë ushtarët ukrainas, të cilët janë duke i shkaktuar “humbje të mëdha”, ka thënë ai.
Teksa Rusia është koncentruar në luftimet në Donbas, sistemet e avancuara të armatimit të prodhuara në Perëndim, që i janë dhënë donacion Ukrainës, kanë nisur të vërehen në front të luftës, ka thënë inteligjenca britanike në përditësimin e saj të fundit më 21 qershor.
Forcat ukrainase kanë raportuar për përdorim të suksesshëm të raketave anti-anije Harpoon, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes.
“Shënjestra e sulmit ka qenë pothuajse me siguri anija ruse Spasatel Vasily Bekh, e cila ka dërguar armë dhe personel në Ishullin e Gjarprit në veriperëndim të Detit të Zi”, ka thënë inteligjenca britanike, duke shtuar se Ukraina ka neutralizuar dukshëm kapacitetin e Rusisë për të mbajtur kontrollin e rajonit veriperëndimor të Detit të Zi.
Në portin më të madh ukrainas, Odesa, i cili është bllokuar nga marina ruse, një raketë ruse ka shkatërruar një magazinë ushqimore më 20 qershor, ka thënë ushtria ukrainase.
Lideri i rajonit të Krimesë së aneksuar nga Moska, Sergey Aksyonov, ka thënë më 20 qershor se tre njerëz janë plagosur dhe shtatë tjerë janë të zhdukur, pasi forcat ukrainase kanë sulmuar platformat e shpimit të naftës në brigjet e Krimesë.
Ky informacion nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë Zelensky ka parashikuar që Moska do të rrisë sulmet, para mbajtjes së samitit të Bashkimit Evropian këtë javë.
“Hap pas hapi ne jemi duke ecur drejt një jave kritike dhe jemi duke bërë gjithçka që mundemi ashtu që askush të mos ketë dyshime që Ukraina meriton” statusin e kandidatit për anëtarësim në BE’, ka thënë ai.
“Ne jemi duke dëshmuar çdo ditë se ne jemi pjesë e një Evrope të bashkuar”.
Ukraina ka aplikuar për anëtarësim në BE, pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.
Moldavia dhe Gjeorgjia kanë vepruar njëjtë disa ditë më vonë, për shkak të kërcënimit rajonal që përbën lufta e Rusisë në Ukrainë.
Liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të shqyrtojnë tri aplikacionet në një samit që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor.
Zelensky ka thënë se Rusia “është shumë nervoze për aktivitetin tonë” dhe ka bombarduar sërish qytetet e mëdha sikurse Harkivi dhe Odesa më 20 qershor, si dhe ka vazhduar ofensivën në rajonin Donbas.
“Kjo është një e keqe që mund të mposhtet vetëm në front të luftës”, ka thënë Zelensky.
“Pushtuesit janë duke marrë përgjigje për veprimet tona ndaj nesh”.
Kremlini ka thënë se dy amerikanë të arrestuar në Ukrainë këtë muaj – teksa kanë qenë duke luftuar për forcat ukrainase – kanë qenë mercenarë që nuk mbulohen nga Konventat e Gjenevës.
Komentet e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmojnë për herë të parë raportimet se dy burrat amerikanë të identifikuar si Andy Huynh, 27-vjeçar dhe and Alexander Drueke, 39-vjeçar, kanë qenë në mbajtje.
Peskov ka thënë se të dy duhet të mbajnë përgjegjësi për “krimet” e tyre.
Qeveritë e Perëndimit kanë thënë se burrat janë zënë teksa kanë qenë duke luftuar për forcat ushtarake ukrainase, andaj duhet të trajtohen si të burgosur të luftës, sipas Konventës së Gjenevës.
Po këtë muaj, dy britanikë dhe një maroken janë dënuar me vdekje nga një gjykatë separatiste, pas janë zënë duke luftuar për Ukrainën./REL/