Dy ngjarje zjarri të regjistruara gjatë mbrëmjes së kaluar në Schaffhausen dhe Tüssiz të Zvicrës shkaktuan plagosjen e 19 personave, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet për pesë të zhdukur, bënë të ditur policitë lokale.
Të lidhura
None found
Në Tüssiz, në kantonin e Grisons, flakët përfshinë një godinë ku ndodheshin një restorant dhe apartamente. Sipas policisë, ndërtesa u shkatërrua plotësisht nga zjarri.
Pesë persona nuk janë gjetur ende, ndërsa 14 të tjerë mundën të dilnin nga objekti. Mes të evakuuarve ishin edhe tetë të plagosur: dy në gjendje të rëndë, dy me plagë të moderuara dhe dy të lënduar lehtë.
Pas marrjes së ndihmës së parë në vendngjarje, të plagosurit u transportuan në tre spitale të zonës, si edhe në spitale në Cyrih.
Autoritetet kanë hapur hetim për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit, i cili dyshohet se nisi në katin e dytë të ndërtesës.
Policia bëri të ditur se shkallët e objektit u shembën dhe se çatia u desh të hapej me ndihmën e një vinçi.
Për shuarjen e flakëve u angazhuan rreth 100 zjarrfikës, ndërsa ndërhyrja vijoi edhe gjatë mëngjesit. Në një fotografi të publikuar nga policia duket një ndërtesë shumëkatëshe banimi e përfshirë nga flakët, me zjarrin që del nga dritaret e një kati të lartë dhe një re të dendur tymi mbi të.
Një zjarr i dytë shpërtheu të enjten në mbrëmje, rreth orës 22:30, në kuzhinën e një pallati apartamentesh në Schaffhausen, qytet pranë kufirit me Gjermaninë.
Nga ky incident u plagosën 11 persona, nëntë prej të cilëve u dërguan në spital. Policia lokale konfirmoi se mes të lënduarve ishte edhe një oficer policie.
Kur mbërritën ekipet e emergjencës, apartamenti ishte tashmë në flakë. Ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur që zjarri të mos përhapej në apartamentet e tjera.
Edhe për këtë ngjarje, policia deklaroi se shkaqet e sakta mbeten objekt hetimi.
