Princi Harry dhe gjashtë persona të tjerë janë urdhëruar të paguajnë fillimisht rreth 9.54 milionë paund për Associated Newspapers Limited (ANL), botuesin e Daily Mail, pas humbjes së betejës gjyqësore lidhur me akuzat për shkelje të privatësisë.
Të lidhura
None found
Paditësit e kishin çuar ANL-në në gjykatë, duke pretenduar se ndaj tyre ishin përdorur metoda të paligjshme për sigurimin e informacionit dhe të dhënave private. Kompania, ndërkohë, i ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike të gjitha akuzat.
Gjyqtari Nicklin, i Gjykatës së Lartë, rrëzoi më 7 korrik apelet e paditësve, duke arritur në përfundimin se ata nuk kishin mundur t’i provonin pretendimet e ngritura.
Në mesin e personave që kundërshtuan vendimin ishin Princi Harry, këngëtari Elton John dhe bashkëshorti i tij David Furness, Sir Simon Hughes, Sandy Frost, Liz Hurley dhe Baronesha Doreen Lawrence.
Dhjetëra dëshmitarë morën pjesë në proces, mes tyre Duka i Sussex-it dhe paditësit e tjerë. Harry udhëtoi nga Shtetet e Bashkuara drejt Britanisë për të qenë i pranishëm vetë në seancat gjyqësore.
Associated Newspapers, gazetarët e saj, si edhe drejtuesit aktualë dhe ata të mëparshëm të kompanisë, kanë mohuar se kanë kryer ndonjë shkelje apo praktikë të paligjshme.
Pas vendimit, Princi Harry dhe Baronesha Doreen Lawrence thanë se në gjykatë kishin shkuar për të kërkuar “drejtësi dhe llogaridhënie”, por sipas tyre nuk kishin marrë asnjërën.
“Ky është një mbulim i plotë dhe i hapur, megjithëse për fat të keq jo i papritur”, deklaruan ata në një qëndrim të përbashkët.
ANL-ja i kërkoi gjykatës që paditësit të paguanin paraprakisht mbi 9.9 milionë paund për shpenzimet ligjore, ndërsa kostoja përfundimtare e procesit do të caktohej më vonë.
Avokatët e paditësve kërkuan që kjo shumë të reduktohej në pak më shumë se 7.9 milionë paund. Megjithatë, gjyqtari përcaktoi një pagesë fillestare prej rreth 9.54 milionë paundësh, e cila duhet të kryhet deri më 28 gusht.
Vlera përfundimtare e kostove ligjore që paditësit do të duhet të përballojnë do të vendoset në një fazë të mëvonshme të procedurave.
