Mbi 53 milionë amerikanë kanë hedhur votën përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit të vitit 2026, me pjesëmarrje më të lartë se katër vjet më parë dhe një rritje të dukshme te votuesit demokratë.
Sipas të dhënave të analizuara nga Universiteti i Floridës, deri të dielën në orën 06:56, sipas kohës lindore, kishin votuar 53.14 milionë persona, nga rreth 210 milionë votues të regjistruar. Afërsisht 29 milionë votuan drejtpërdrejt në qendrat e votimit dhe 23 milionë dërguan fletët e tyre me postë.
Të lidhura
None found
Në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2022, votuesit e parakohshëm ishin rreth 46 milionë, çka e bën shifrën aktuale më të lartë.
Demokratët e regjistruar kanë përpara republikanët në pjesëmarrjen e hershme: deri tani kanë votuar mbi 11 milionë demokratë, ndërsa numri i republikanëve është rreth 8 milionë.
Teksasi ka shënuar shtimin më të madh, me mbi 7 milionë votues. Kjo është rreth 1.5 milionë më shumë se në të njëjtën fazë të zgjedhjeve të vitit 2022.
Rritje të konsiderueshme raportohen edhe në shtete të tjera: votimi i parakohshëm është shtuar me 83% në Karolinën e Jugut, 34% në Kansas, 44% në Maine dhe 32% në Michigan. Në këtë të fundit kanë votuar rreth 409 mijë persona më shumë se katër vjet më parë.
Fushata zhvillohet në një periudhë të vështirë politike për republikanët. Politikat tarifore të Presidentit Donald Trump dhe përfshirja e SHBA-së në luftën me Iranin, në krah të Izraelit, kanë ndikuar në mbështetjen për partinë, ndërsa kostoja e jetesës vijon të jetë shqetësim për qytetarët.
Sondazhet kombëtare të publikuara dy ditë para Ditës së Zgjedhjeve u jepnin demokratëve 51.5% të mbështetjes dhe republikanëve 43.1%.
Votimi i hershëm u jep qytetarëve mundësinë të votojnë para datës zyrtare, qoftë duke shkuar personalisht në qendrat e votimit, qoftë duke dërguar fletën e votimit me postë. Votimi personalisht përpara ditës së zgjedhjeve lejohet në 47 shtete dhe në Uashington, ndërsa votimi me postë është i mundur në të gjitha shtetet.
Arsyet e zgjedhjes së votimit të parakohshëm ndryshojnë. Disa qytetarë duan të shmangin radhët në ditën zyrtare, të tjerë nxiten nga partitë apo organizatat vendore, ndërsa disa preferojnë ta mbyllin sa më parë procesin e votimit.
Ekspertët paralajmërojnë se të dhënat e votimit të hershëm nuk zbulojnë se për cilin kandidat është votuar dhe, të vetme, nuk mund të shërbejnë për të parashikuar rezultatin përfundimtar.





