Balaj e cilëson keqkuptim kërkesën për huazimin e kapelave të policeve kadetëve

Kapiteni i Policisë së Kosovës Fatmir Balaj e ka quajtur keqkuptim kërkesën që zyrtaret policore të dorëzojnë kapelat e uniformës, për t’ia dhënë përkohësisht gjeneratës së 63-të të kadetëve deri në diplomim.

I pyetur për këtë çështje në emisionin Debat Plus, Balaj nuk dha hollësi të tjera dhe u drejtua te Zyra për Informim e Policisë së Kosovës për informacione shtesë.

Të lidhura

None found

“Është një keqkuptim. Për çdo gjë që keni për t’u informuar, Policia e posedon Zyrën e Mediave, informohuni atje”, u shpreh Balaj.

Një komunikim i brendshëm, të cilin e siguroi Vox Kosova, tregon se drejtorëve të drejtorive dhe shefave të njësive policore u ishte kërkuar t’i informonin zyrtaret policore për dorëzimin e kapelave.

Sipas udhëzimit, kapelat duhej të mblidheshin nga drejtoritë e njësitë, përfshirë rajonet, e më pas t’i dorëzoheshin Drejtorisë së Logjistikës së Policisë së Kosovës.

Në një tjetër komunikim të siguruar nga ky medium, zyrtarët e një njësie policore ishin njoftuar se kapelat do t’i huazoheshin gjeneratës së 63-të deri në përfundim të diplomimit dhe më pas do t’u ktheheshin pronareve.

Lajmi për huazimin e kapelave vjen pas shtyrjes së ceremonisë së diplomimit të kadetëve, e planifikuar fillimisht për 30 tetor. Kadetëve u është bërë e ditur se ceremonia do të mbahet më 6 nëntor, për shkak të mungesës së uniformave dhe pajisjeve të nevojshme.


Shtuar më 3.11.2026 09:18