Një valë rekord të nxehti ka përfshirë Gjermaninë dhe, me rritjen e temperaturave, shtohet edhe numri i personave që përfundojnë në spital. Kjo ngre një pyetje thelbësore: sa të mbrojtur janë pacientët nga vapa brenda vetë spitaleve?
Jo të gjitha institucionet janë në të njëjtin nivel përgatitjeje, por Spitali Universitar Hamburg-Eppendorf (UKE) konsiderohet i pajisur më mirë. Në ambientet e tij gjenden shumë pemë të vjetra, përballë ka edhe një park, ndërsa në fasadat e disa godinave rriten hardhi të egra dhe bimë të tjera.
Të lidhura
None found
Sidomos pemët ndihmojnë në uljen e temperaturës përreth, pasi krijojnë hije, avullojnë ujë dhe në këtë mënyrë largojnë një pjesë të nxehtësisë nga ajri.
Edhe gjelbërimi në fasada luan rol ftohës, sepse pengon që muret të goditen drejtpërdrejt nga rrezet e diellit. “Janë vendosur edhe stola nën pemë në mënyrë që pacientët e lëvizshëm, vizitorët dhe punonjësit të mund të qëndrojnë në hije”, thotë Frank Dzukowski, kreu i Departamentit të Qëndrueshmërisë së UKE. Sipas tij, spitali i Hamburgut hartoi një plan të plotë mbrojtjeje nga nxehtësia tre vjet më parë.
Evropa po nxehet me ritme veçanërisht të shpejta për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, dhe në Gjermani po shtohen vazhdimisht ditët kur temperaturat kalojnë 30 gradë Celsius.
Në vitet 1950, në shumicën e verave kishte vetëm pak ditë të tilla dhe rreth tetë ditë me nxehtësi ekstreme mjaftonin që një vit të konsiderohej rekord i ngrohtë. Deri në vitet 1980, ky rekord kishte shkuar në dhjetë ditë. Në vitin 2000 u regjistruan tashmë 19 ditë të tilla, ndërsa në dekadën e fundit vitet rekord kanë shënuar më shumë se 20 ditë me temperatura mbi 30 gradë.
Temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për organizmin e njeriut. Më problematike janë valët e të nxehtit, pra periudhat kur temperatura arrin 30 gradë ose më shumë për disa ditë me radhë dhe gjatë natës nuk zbret nën 20 gradë.
Kur njeriu qëndron për një kohë të gjatë i ekspozuar ndaj vapës, sistemi natyror i trupit për t’u ftohur mund të mbingarkohet. Kjo mund të sjellë skuqje, dhimbje në pulpa ose ënjtje të këmbëve. Nxehtësia ushtron presion të veçantë mbi sistemin kardiovaskular dhe pasojat mund të jenë marramendje, dhimbje koke, lodhje, madje edhe vdekje nga goditja e të nxehtit.
Shtimi i temperaturave, i shoqëruar me rritje të lagështisë, mund të shkaktojë më shpesh infeksione të lëkurës dhe shërim më të ngadaltë të plagëve, veçanërisht nëse ndryshimet klimatike ndikojnë edhe në shpërndarjen e baktereve. Po ashtu, nxehtësia mund të forcojë ose të dobësojë efektin e disa ilaçeve.
Më të rrezikuarit nga temperaturat e larta janë personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
Vetëm gjatë dy verave jashtëzakonisht të nxehta të viteve 2018 dhe 2019 në Gjermani, rreth 15,500 njerëz humbën jetën si pasojë e ekspozimit ndaj nxehtësisë. Sipas modeleve për Gjermaninë, deri në mesin e shekullit numri i vdekjeve shtesë të lidhura me nxehtësinë mund të kalojë 5,000 në vit.
Tashmë vlen një rregull i qartë: sa më shumë ditë me nxehtësi ekstreme, aq më i lartë bëhet nevoja për trajtim spitalor. Përveç efekteve të drejtpërdrejta të vapës, gjatë ditëve shumë të nxehta rritet edhe numri i aksidenteve dhe i ndërhyrjeve të shërbimeve të urgjencës.
Pikërisht këtu shtrohet dilema nëse pacientët në spitale po mbrohen mjaftueshëm nga temperaturat e larta.
Në vitin 2024, Instituti Gjermani Spitalit zhvilloi një anketë me 289 spitale për të parë nëse kishin vendosur më shumë masa mbrojtjeje nga nxehtësia në krahasim me vitin e kaluar. 60 përqind e tyre dhanë përgjigje negative.
Shkaku kryesor për mungesën e masave më të mira kundër vapës në spitale është mungesa e fondeve, sipas 96 përqind të të anketuarve. Një pjesë e madhe e institucioneve frenohen gjithashtu nga ngarkesa e rëndë administrative. “Duke pasur parasysh situatën e vështirë ekonomike, shumë institucione aktualisht kanë përparësi të tjera”, thuhet në raport.
Sipas Shoqatës Gjermane të Spitaleve (DKG), gjendja nuk ka ndryshuar ndjeshëm as në vitin 2026. Kjo organizatë jofitimprurëse përfaqëson interesat e spitaleve në Gjermani.
Presidenti i Bordit Drejtues të DKG-së, Gerald Gaß, kritikon faktin se shtetet federale prej dekadash nuk kanë përmbushur detyrimin për të financuar kostot reale të investimeve të spitaleve. “Në praktikë, kjo shpesh do të thotë që spitalet preferojnë të investojnë burime të kufizuara në kujdesin shëndetësor të drejtpërdrejtë, siç është blerja e pajisjeve mjekësore ose riparimet emergjente, sesa në instalimin e sistemeve të ajrit të kondicionuar.” Për këtë arsye, spitalet detyrohen të kërkojnë mënyra sa më pak të kushtueshme për të freskuar ambientet.
Ekzistojnë shumë rekomandime që përfshijnë masa me kosto të ulët për mbrojtje nga nxehtësia, si rroba pune më të lehta, batanije më të holla, ushqim të përshtatur për temperaturat e larta dhe vendosjen e një makine me ujë të pijshëm.
Megjithatë, siç nënvizon Gaß, “mbrojtja efektive e spitalit, pacientëve dhe punonjësve të tij gjatë periudhave të nxehtësisë ekstreme kërkon investime.”
Për këtë arsye, DKG kërkon nga politika një program investimesh shumëvjeçar për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike me vlerë 31 miliardë euro. Një pjesë e këtyre parave duhet të përdoret për mbrojtjen nga nxehtësia.
Pjesa më e madhe e spitaleve në Gjermani janë ndërtuar në një periudhë kur valët e gjata të të nxehtit ekstrem ishin të rralla, ndaj në përgjithësi ato nuk janë të pajisura me sisteme ajri të kondicionuar.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Spitalin Universitar në Hamburg, ku kondicionerët gjenden vetëm në ambiente të caktuara, si njësitë e kujdesit intensiv dhe sallat e operacionit, shpjegon Frank Dzukowski. Ndërtesa kryesore, ku ndodhen rreth gjysma e të gjithë shtretërve të pacientëve, është pajisur me mbrojtje të jashtme nga dielli.
“Kur kjo nuk është e mundur, elementë të brendshëm hijezues ose filma mbrojtës mund të instalohen në dritare për të zvogëluar depërtimin e nxehtësisë dhe rrezatimit diellor.”
Kur ka mundësi, pacientët më rëndë të sëmurë ose më të dobësuar sistemohen në dhoma që ngrohen më ngadalë. Ndërkohë, një pjesë e ambienteve të stafit mund të freskohet përmes ventilimit gjatë natës.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se në rast të një vale të fortë të nxehti, urgjenca ka shumë gjasa të mbingarkohet. Përveç kësaj, duhet marrë parasysh edhe mungesa e stafit, pasi punonjësit mund të sëmuren ose të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi për t’u kujdesur për familjarët nëse shkollat ose azilet e pleqve mbyllen për shkak të vapës.
Në kushtet aktuale, spitalet nuk do të mund të ofrojnë kujdes të mjaftueshëm shëndetësor gjatë një krize serioze të nxehtësisë. Për këtë arsye, politika duhet të krijojë kushtet e duhura dhe të synojë rinovimin e spitaleve, në mënyrë që ato të bëhen më të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike. /DW
