Shumë familje në Gjermani dhe në Evropën Veriore, ndryshe nga ato në SHBA apo në pjesë të Azisë, nuk janë të pajisura për të përballuar temperatura ekstreme.
Ndërkohë, rritja e temperaturave po bëhet një fenomen gjithnjë e më i dukshëm në shkallë globale.
Të lidhura
None found
Në vende si Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Japonia, vapës dhe lagështisë së verës zakonisht u bëhet ballë me ajrin e freskët të kondicionerëve. Në shumë rajone të Evropës, megjithatë, mënyra më e zakonshme për t’u ftohur mbetet shumë më bazike: ulja e roletave, përdorimi i ventilatorëve dhe mbajtja afër e ujit me akull.
Të dhënat e Departamentit Amerikan të Energjisë tregojnë se rreth 90 për qind e banorëve në SHBA kanë kondicioner në shtëpi. Në Evropë, edhe pse në disa vende kushtet klimatike janë të krahasueshme, kjo shifër arrin vetëm në rreth 20 për qind, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), megjithëse dallimet mes shteteve janë të mëdha.
Në Spanjë, afro gjysma e banesave janë të pajisura me ajër të kondicionuar. Në Gjermani, ndërkaq, një studim i porositur nga portali krahasues Verivox tregon se vetëm rreth 6 për qind e banesave kanë një sistem fiks klimatizimi, ndërsa 13 për qind të tjera përdorin pajisje portative, të cilat zakonisht ofrojnë ftohje dukshëm më të dobët. Arsyeja lidhet me faktin se deri vonë, në shumë vende evropiane, sidomos në veri, kondicionerët nuk konsideroheshin të nevojshëm.
Vera të nxehta ka pasur – çfarë ka ndryshuar tani?
Temperaturat e larta kanë qenë gjithmonë pjesë e stinës së verës në Evropë. Ajo që ka ndryshuar është se valët ekstreme të të nxehtit po shfaqen më shpesh dhe me intensitet më të lartë. Kur temperaturat e larta zgjasin për ditë apo javë, ato vënë në rrezik infrastrukturën, ekosistemet dhe shëndetin e njerëzve. Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) ka evidentuar se këto episode ekstreme po shtohen më shpejt nga sa parashikonin modelet klimatike, veçanërisht në Evropën Perëndimore.
Një analizë e fundit e ClimaMeter, një bashkim studiuesish evropianë që merren me fenomenet ekstreme të motit, zbuloi se temperaturat në qershor 2026 ishin rreth 2 deri në 4 gradë Celsius (3,6 deri në 7,2 gradë Fahrenheit) më të larta se sa do të kishin qenë në kushte të ngjashme në fund të shekullit të 20‑të. “Kjo situatë çon në një rritje të menjëhershme të kërkesës për energji elektrike për ftohje,” shpjegoi në një deklaratë Tommaso Alberti, studiues italian në ClimaMeter.
Në Gjermani, kërkesa për kondicionerë dhe pajisje ftohëse është rritur me 75 për qind midis viteve 2019 dhe 2024, që ishte viti më i nxehtë i regjistruar deri më tani. Edhe Eurovent, shoqata e industrisë për ngrohje, ventilim, ajër të kondicionuar dhe teknologji ftohjeje, ka konstatuar një rritje “të qëndrueshme” gjatë viteve të fundit.
Pavarësisht kësaj prirjeje, rezistenca ndaj kondicionerëve në Evropë mbetet e fortë. Stijn Renneboog, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Eurovent-it, tha se edhe në këshillat që qarkullojnë në rrjetet sociale për mënyrat si të ruhet freskia, vazhdojnë të shfaqen rekomandime për të mos përdorur kondicionerë. “Freskimi ende shumë shpesh konsiderohet luks”, shkruan Renneboog në një email për DW-në. Ai nënvizon se nxehtësia përbën një kërcënim serioz për shëndetin publik: “Në Evropë çdo vit ka dhjetëra mijëra vdekje të lidhura me temperaturat e larta.”
Shtëpitë evropiane janë ndërtuar për ngrohje, jo për ajër të kondicionuar
Për shumicën e evropianëve, mbajtja e banesës të freskët gjatë verës është një sfidë. Në Gjermani dhe në pjesë të tjera të Evropës Qendrore e Veriore, shumë shtëpi dhe apartamente janë projektuar për të ruajtur ngrohtësinë gjatë muajve të ftohtë, jo për të garantuar ftohje optimale gjatë vapës. Një studim i fundit tregoi se pothuajse gjysma e të anketuarve në të gjithë BE‑në mbështeten te përmirësimi i hijezimit dhe izolimit për t’iu shmangur nxehtësisë. Sidoqoftë, një numër në rritje po e shqyrton edhe përdorimin e kondicionerëve.
“Koha kur kondicionerët në Evropë ishin ende pak të përhapur po i afrohet fundit,” deklaroi Helge Brinkmann, zv/drejtor në Boston Consulting Group dhe specialist për energjinë e gjelbër dhe mjedisin, në një analizë shtatorin 2025.
Megjithatë, e njëjta analizë thekson se vendosja e sistemeve të klimatizimit në ndërtesat e vjetra të banimit në Evropë shpesh është e vështirë. Rinovimet e gjera mund ta bëjnë të mundur instalimin e sistemeve të reja, por në qytetet me ndërtesa historike shpesh duhen kapërcyer edhe “pengesat shtesë administrative dhe estetike”.
“Një problem serioz social dhe i politikës shëndetësore”
Një tjetër pengesë për shumë evropianë mbetet kostoja. Rritja e çmimeve të energjisë e bën më të shtrenjtë përballimin e vapës dhe 38 për qind e të anketuarve në një sondazh në shkallë të BE-së thanë se nuk kanë mundësi ta përballojnë ftohjen e banesës së tyre.
Një studim nga viti 2020 analizoi se si ngrohja globale po e rrit nevojën për klimatizim në vende me klimë të butë si Franca, Spanja, Suedia dhe Holanda. Përfundimi ishte se grupet me të ardhura më të ulëta preken në mënyrë disproporcionale. Sipas Stijn Renneboog nga Eurovent, ngrohja në dimër shihet si nevojë bazë, ndërsa e njëjta logjikë nuk zbatohet për ftohjen. “Ndoshta duhet të pranojmë gjithashtu se pamundësia për t’i ftohur ndërtesat në mënyrë të sigurt gjatë verës po kthehet gjithashtu në një problem serioz social dhe shëndetësor.”
Edhe shqetësimet për mjedisin kanë ndikuar deri tani në frenimin e përhapjes së kondicionerëve në Evropë. Gjatë dekadës së fundit, konsumi total i energjisë për ftohjen e ndërtesave të banimit dhe hapësirave të tjera në BE është rritur vazhdimisht, veçanërisht që nga viti 2020. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, ndonëse në vitin 2024 konsumi i energjisë për ngrohjen e ndërtesave ka rënë lehtë, ai për ftohje u rrit me 15,3 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
A ka alternativa ndaj kondicionerëve?
Po, sipas Jean‑Sebastien Broc nga Instituti për Politikën Evropiane të Energjisë dhe Klimës, ekzistojnë zgjidhje më miqësore me mjedisin sesa kondicionerët tradicionalë. Gjatë një vale të nxehti në korrik 2025, ai shpjegoi: “Ndërtesat e reja mund të projektohen në mënyrë që të kufizohet nevoja për ftohje, duke u dhënë përparësi alternativave ndaj kondicionerëve.”
Këto alternativa përfshijnë projektimin e ndërtesave në mënyrë që të lejohet qarkullimi natyror i ajrit në hapësira, si edhe përdorimin e materialeve që grumbullojnë më pak nxehtësi.
Po ashtu, ndërtesat duhet të pajisen me sisteme më të mira mbrojtjeje nga dielli, si roleta, tenda dhe streha çatie. Pompat moderne të nxehtësisë, që në disa vende janë tashmë standard ndërsa në të tjera mbeten ende relativisht të kushtueshme, ofrojnë një mënyrë më efikase për nga energjia dhe emetimet për ngrohjen e shtëpive. Versionet më të reja të tyre mund të kenë edhe funksion ftohjeje, i dobishëm gjatë verës.
Përtej masave në ndërtesa, edhe hapësirat e gjelbra dhe elementet ujore mund të ndihmojnë në uljen e temperaturave në qytete dhe në zbutjen e efektit të ishullit të nxehtësisë urbane. Shumë qytete po mbështeten gjithashtu te zgjidhje të përbashkëta, si sistemet e mjegullës spërkatëse dhe qendrat publike të ftohjes. Në qytete si Parisi, Stokholmi dhe Kopenhaga, klimatizimi po centralizohet tashmë në mënyrë të ngjashme me ngrohjen qendrore, përmes ftohjes së centralizuar: uji i ftohtë kalon nëpër tuba nëntokësorë drejt disa ndërtesave për t’i ftohur ato. /DW
